Tabaku: Mazhoranca imponon emërime me ‘forcën e kartonëve’, goditet pavarësia e institucioneve
Deputetja e Partia Demokratike e Shqipërisë, Jorida Tabaku, ka reaguar ashpër ndaj mënyrës së emërimit të Genta Bungo Tafa si Komisionere kundër Diskriminimit, duke akuzuar mazhorancën për shkelje të standardeve demokratike dhe kapje të institucioneve të pavarura.
Në postimin e saj në Facebook, Tabaku thekson se vendimi i marrë pas një mbledhjeje të dytë të thirrur nga shumica në Kuvendi i Shqipërisë përbën një precedent të rrezikshëm, ku dialogu zëvendësohet nga imponimi dhe opozita anashkalohet, në kundërshtim me parimet e theksuara edhe nga Parlamenti Europian për funksionimin demokratik.
Postimi i plotë:
Pas përfundimit të mbledhjes së rregullt të Komisionit, mazhoranca thirri një tjetër mbledhje, duke përdorur forcën e numrave për të imponuar emërimin e Genta Bungo Tafës si Komisionere kundër Diskriminimit.
Së pari, institucionet e pavarura nuk janë zgjatim i institucioneve të tjera dhe as stacione tranziti për emërime politike. Kjo është hera e tretë që përfaqësues të të ashtuquajturës “drejtësi e re” transferohen në institucione të pavarura, duke ngritur pikëpyetje serioze si për vendimet e tyre të mëparshme, ashtu edhe për pavarësinë e institucioneve ku emërohen sot.
Së dyti, imponimi i vendimeve përmes një mbledhjeje të thirrur me forcën e kartonëve, duke anashkaluar opozitën dhe çdo standard normal parlamentar, është pikërisht ajo që kritikohet sot në raportet ndërkombëtare. Siç theksohet qartë në raportin e Parlamentit Europian, një proces demokratik kërkon bashkëjetesë reale dhe hapësirë për opozitën — jo zëvendësimin e saj.
Ajo që ndodhi sot në Komisionin e të Drejtave të Njeriut është një shembull i qartë i një Parlamenti ku dialogu po zëvendësohet nga imponimi.
Së treti, kur përfaqësues të shoqërisë civile përfshihen në politikë, pritet të sjellin standarde dhe integritet — jo të legjitimojnë vendime që dëmtojnë besimin publik.
Sepse, përtej politikës, mbetet një vijë që nuk duhet kaluar: dinjiteti.