SYRI TV/ Vlorë- Plazhi i Vjetër me probleme infrastrukture: Rruga e dëmtuar dhe mbetjet shqetësojnë turistët
Plazhi i Vjetër në lagjen “1 Maji” në Vlorë, po përballet me probleme serioze infrastrukturore, mbeturina që lihen pa pastruar dhe mungesë mirëmbajtjeje. Në prag të sezonit turistik, kjo situatë është kthyer në shqetësim të përditshëm për banorët dhe pushuesit, të cilët kërkojnë ndërhyrje të menjëhershme nga Bashkia e Vlorës dhe institucionet përgjegjëse.
Syri TV
Një nga zonat më të preferuara nga turistët vendas dhe të huaj, Plazhi i Vjetër në lagjen “1 Maji” në Vlorë, po përballet me probleme serioze infrastrukturore dhe mungesë mirëmbajtjeje. Rruga pranë Pyjores është dëmtuar totalisht pas ndërhyrjeve të projektit të ri të ujësjellësit dhe prej muajsh nuk është rikthyer në gjendjen e mëparshme. Gropat, pluhuri dhe vështirësitë në qarkullim janë kthyer në shqetësim të përditshëm për banorët dhe pushuesit.
Problem mbeten edhe mbeturinat, të cilat sipas banorëve qëndrojnë me ditë të tëra në zonë pa u pastruar. Pamjet e mbetjeve urbane në kulmin e sezonit turistik po dëmtojnë imazhin e qytetit dhe po krijojnë pakënaqësi te vizitorët.
Banorët kërkojnë ndërhyrje të menjëhershme nga Bashkia Vlorë dhe institucionet përgjegjëse për pastrimin e zonës dhe rikonstruksionin e rrugës, në mënyrë që të mos largohet fluksi i turistëve nga kjo zonë bregdetare.