Integrimi/ Abilekaj: Rezoluta diplomatike lë hapësirë për interpretime të kundërta dhe fsheh ngecjen reale

Rezoluta e miratuar së fundmi në Komisionin për Punët e Jashtme të Parlamentit Europian mbi progresin e Shqipërisë ka shkaktuar interpretime krejtësisht të kundërta, duke u parë nga qeveria si një vlerësim pozitiv dhe nga opozita si një konfirmim i kritikave të saj.

Gazetari Enton Abilekaj, në një intervistë për SYRI TV me moderator Edvin Parruca, argumentoi se problemi qëndron te vetë natyra e rezolutës. Sipas tij, dokumenti është "diplomatik, jo teknik" dhe i mungon një vlerësim i bazuar në merita, çka lejon hapësirë për dy interpretime diametralisht të kundërta. ‘Vetë rezolutën po ta lexosh, ti nuk e kupton, a kemi ecje të shpejtë të Shqipërisë, apo kemi ngecje në çështjen kryesore?’, u shpreh ai.

Enton Abilekaj: Mendoj që problemi i parë është rezoluta vetë, se ndryshe nuk do të kishte dy interpretime për rezolutën. Po. Një rezolutë që flet për gjëra që janë në të mirë të Shqipërisë dhe pastaj tregon se si Shqipëria në çështjet kryesore, siç janë ato të korrupsionit dhe në çështjen e vetme që është drejtësia, lufta e drejtësisë ndaj korrupsionit, në fakt nuk ka ecur fare, ka ngecur. Pra, vetë rezolutën po ta lexosh, ti nuk e kupton, a kemi ecje të shpejtë të Shqipërisë, apo kemi ngecje të Shqipërisë në çështjen kryesore. Dhe kjo tregon që rezoluta ka lënë të hapur shumë gjëra, për shkak se rezoluta ka lënë të hapur shumë gjëra. Sigurisht që ka një tentativë që Shqipëria të mos bllokohet në 12 maj, kur mblidhen ministrat e jashtëm për të vendosur për hapin tjetër. Pra, miratimin e IBAR-it dhe pastaj hapjen e mundësisë që të mbyllen kapitujt kryesorë. Kështu që, rezoluta, po themi, është diplomatike, nuk është teknike dhe nuk flet për meritë. Ky është problemi dhe kjo është edhe kërkesë që rezoluta nuk e respekton, në fakt. Pse nuk e respekton? Sepse rezoluta flet për hapa të shpejtë të Shqipërisë, pastaj kur vjen te çështja konkretisht, flet për hapa të ngadaltë të Shqipërisë.

Ka kritika të forta. Një sërë çështjesh thelbësore. Dhe këto kritika të forta tregojnë që Shqipëria nuk ka bërë ecje të shpejtë. S'ka ku është ecja e shpejtë. A ka ndonjë fjalë në rezolutë se ku është ecja e shpejtë, përveç se në përfundim të saj dhe në një përmbledhje që bën për Shqipërinë që po ecën me hapa të shpejtë? Në fakt nuk po ecën me hapa të shpejtë. Pra është ajo, si do ta përshkruani situatën në Shqipëri me një fjalë? Mirë. Dhe si do ta përshkruani me dy fjalë? Jo mirë. Kështu që me një fjalë situata është mirë, por pastaj kur fillojmë dhe flasim për rezolutën në vetvete, situata është jo mirë, është keq. Kështu që të dyja anët, dhe i bie që më shumë qeveria sigurisht se çdonjëri normal që lexon atë, kupton që në Shqipëri gjërat kanë ngecur. Që fjala 'Shqipëria po ecën shpejt' është thjesht për të inkurajuar Shqipërinë që të ecë shpejt. Nuk është në fakt reflektimi i së vërtetës, por është reflektimi i dëshirës. Dhe në fakt çështjet kanë ngecur në pikat që theksohen konkretisht në rezolutë. Prandaj po them që lihet hapësira për të dyja palët për të spekulluar, por në fakt e vërteta është që përmbajtja e rezolutës, përmbajtja e vërtetë e rezolutës, pjesa jo propagandistike e rezolutës është në disfavor të Shqipërisë dhe parashikon një rrugë të vështirë deri në 12 maj. Nëse do ja dalim, do të ishte një çudi.