Titulli i Premier League-s do të vendoset me një gol të vetëm, parashikimi ‘i çmendur’ i superkompjuterit
Gara për titullin në Premier League është bërë më dramatike se kurrë dhe, sipas një superkompjuteri, gjithçka mund të vendoset nga… një gol i vetëm në fund të sezonit.
Barazimi spektakolar 3-3 i Manchester City-t ndaj Everton-it ka ndryshuar rrjedhën e garës, duke i dhënë një avantazh të rëndësishëm Arsenalit. “Qytetarët” humbën pikë vendimtare, ndërsa “Topçinjtë” kryesojnë me pesë pikë më shumë, edhe pse kanë luajtur një ndeshje më tepër.
Sipas parashikimit të bërë nga një superkompjuteri, Arsenali pritet ta fitojë titullin me 83 pikë, po aq sa City, por me një golavarazh më të mirë: +45 kundrejt +44. Një skenar i tillë do të realizohej nëse londinezët fitojnë dy nga tri ndeshjet e mbetura dhe barazojnë një, ndërsa City i fiton të katërta.
Ky parashikim e bën fundin e sezonit jashtëzakonisht të tensionuar, ku çdo gol mund të jetë vendimtar për fatin e titullit. Për skuadrën e Pep Guardiola, situata është komplikuar ndjeshëm, pasi tashmë nuk e kanë më gjithçka në dorën e tyre.
Në pjesën tjetër të tabelës, parashikimet tregojnë se Manchester United, Liverpooli dhe Aston Villa do të sigurojnë vendet në Ligën e Kampionëve. Ndërkohë, Brentfordi, Bournemouthi dhe Evertoni pritet të sigurojnë pjesëmarrjen në garat europiane.
Në fundin e tabelës, Tottenham parashikohet të shpëtojë nga rënia, ndërsa West Hami rrezikon seriozisht të zbresë në Championship.
Një sezon që premton emocione deri në sekondën e fundit, ku një gol i vetëm mund të ndajë kampionin nga vendi i dytë.