Rënia dramatike e ish-it të Arsenalit, nga milionat te falimentimi: Gruaja më bëri trokë!
Ish-mbrojtësi i njohur, që ka luajtur për klube si Arsenal dhe Galatasaray, ka rrëfyer një histori tronditëse për jetën e tij pas futbollit, duke zbuluar se sot ndodhet në falimentim dhe larg fëmijëve të tij.
Në një podcast, Eboué tregoi se gjithçka nisi të përkeqësohej pikërisht kur iu hap një mundësi e re tek Sunderlandi. Pasi kishte përfunduar kontratën me Galatasaray-n dhe po stërvitej i vetëm në Turqi, oferta nga klubi anglez i dha shpresë për një rikthim. Madje, trajneri i atëhershëm i premtoi një kontratë dyvjeçare.
Por menjëherë pas firmës, situata mori një kthesë negative. Sipas tij, agjentët i kërkuan një milion euro, edhe pse, sipas Eboué-së, nuk kishin kontribuar në gjetjen e klubit. Refuzimi i tij solli pasoja të rënda: çështja shkoi në FIFA dhe lojtari u pezullua për një vit, duke mos pasur të drejtë as të luante dhe as të stërvitej me skuadra.
Ky ishte fillimi i fundit për karrierën e tij. “Kisha vuajtur shumë për të gjetur një klub dhe, kur mendova se gjithçka po rregullohej me Sunderlandin, u shfaq një tjetër problem”, tregoi ai.
Pas tërheqjes nga futbolli, problemet u thelluan edhe më shumë në jetën personale. Eboué zbuloi se ish-bashkëshortja e tij kishte ndërmarrë veprime pa dijeninë e tij, ndërsa ai jetonte mes Anglisë dhe Turqisë. “U ktheva në Turqi dhe qëndrova i fshehur, sepse nuk doja që njerëzit të dinin se isha pa skuadër. Nga aty nisi edhe divorci”, përfundoi ai me tone të dhimbshme.
Historia e tij është një shembull i fortë se si karriera dhe jeta personale mund të marrin një kthesë të papritur, edhe për ata që kanë arritur majat e futbollit.