Formula 1 drejt kthimit te V8, Mercedes-i dhe FIA hapin diskutimet për një epokë të re të motorëve

Formula 1 mund të jetë pranë një ndryshimi historik, pasi po diskutohet rikthimi i motorëve V8, një hap që do të shënonte një kthim drejt “origjinave” të sportit.

Sipas raportimeve, Mercedes-i ka nisur diskutime me drejtuesit e FIA-s dhe presidentin Mohammed Ben Sulayem për mundësinë e rikthimit të motorëve me tetë cilindra në të ardhmen e afërt të kampionatit.

Ideja kryesore është që deri në vitin 2031 të zëvendësohen njësitë aktuale të fuqisë me motorë më të thjeshtë, më të lehtë dhe më ekonomikë, me më pak komponentë elektrikë krahasuar me sistemet hibride aktuale.

Ben Sulayem ka deklaruar se shumë skuadra janë të hapura ndaj kësaj ideje dhe se një ndryshim i tillë është praktikisht i mundshëm në vitet e ardhshme. Ky zhvillim vjen në një moment delikat, pasi prodhues të rinj si Audi kanë hyrë në sport pikërisht për epokën e motorëve hibridë V6.

Rikthimi i V8 shihet si një kthesë nostalgjike për sportin, duke kujtuar zhurmën karakteristike të motorëve atmosferikë të fillimit të viteve 2000. Megjithatë, jo të gjithë janë të bindur për një rikthim të pastër në teknologjinë e vjetër.

Drejtori i Mercedesit, Toto Wolff, ka deklaruar se V8 është një motor i dashur për skuadrën, por ka theksuar se e ardhmja duhet të mbetet hibride. Sipas tij, një zgjidhje më realiste do të ishte një “megamotor” që kombinon fuqi të lartë, duke arritur mbi 1.200 kuaj fuqi të përbashkëta.

Debati për të ardhmen e motorëve në Formula 1 mbetet i hapur, ndërsa vendimet e ardhshme pritet të ndikojnë ndjeshëm jo vetëm teknologjinë, por edhe vetë identitetin e kampionatit më të madh të garave në botë.