A është Shqipëria gati për kërkesat e reja të BE-së në luftën kundër drogës?
Nga Alba Kepi
Ballkani Perëndimor është përfshirë drejtpërdrejt në masat e reja të Koalicionit Evropian kundër Drogës, sipas deklaratës së liderëve evropianë të miratuar më 4 maj në Jerevan.
Deklarata e Jerevanit shënon një ndryshim të rëndësishëm në qasjen e Bashkimit Evropian ndaj luftës kundër drogës në vendet e Ballkanit Perëndimor. Qasja e re nuk kufizohet vetëm në ndjekjen e trafikantëve, por synon një sistem më të gjerë dhe më kompleks kontrolli, i cili përfshin gjithë zinxhirin e furnizimit, monitorimin e financave digjitale dhe forcimin e bashkëpunimit rajonal.
Një nga fushat kryesore të kësaj strategjie është kontrolli i substancave kimike që përdoren për prodhimin e drogës, veçanërisht të drogave sintetike. Edhe pse ekziston një bazë ligjore, zbatimi mbetet i fragmentuar dhe i dobët. Aktualisht, kontrollet përqendrohen kryesisht në kufij, ndërsa mungon një monitorim i plotë dhe sistematik i tregut dhe i zinxhirit të furnizimit.
Në fushën e kriptovalutave dhe pastrimit të parave, sfidat janë edhe më të mëdha. Megjithëse ka nisur procesi i rregullimit ligjor, mungojnë sistemet moderne të mbikëqyrjes dhe ekspertiza e specializuar. Kjo situatë i mundëson krimit të organizuar të përshtatet më shpejt sesa institucionet shtetërore.
Bashkëpunimi ndërkombëtar ekziston, por shkëmbimi i informacionit dhe kapacitetet analitike të brendshme mbeten të kufizuara. Shqipëria vijon të mbështetet ndjeshëm në asistencën e jashtme, ndërsa përballet me mungesë specialistësh në fusha të reja si financat digjitale dhe analiza e të dhënave.
Në këtë kontekst, Shqipëria përballet me një standard të ri evropian që kërkon kontroll teknik të avancuar të zinxhirëve të prodhimit, mbikëqyrje të sofistikuar financiare digjitale dhe integrim të thelluar të sistemeve të inteligjencës dhe analizës së të dhënave.
BE forcon strategjinë kundër drogës në Ballkanin Perëndimor: krijohet rrjet rajonal për kontrollin e prekurorëve
Ballkani Perëndimor është përfshirë drejtpërdrejt në masat e reja të Koalicionit Evropian kundër Drogës, sipas deklaratës së liderëve evropianë të miratuar më 4 maj në Jerevan.
Dokumenti parashikon krijimin e një rrjeti rajonal të agjencive për kontrollin e prekursorëve kimikë të drogës (substancave që përdoren për përgatitjen e drogës dhe asaj sinttike), në Ballkanin Perëndimor, me synim forcimin e bashkëpunimit ndërmjet vendeve të rajonit për monitorimin dhe kontrollin e substancave që përdoren në prodhimin e drogave sintetike.
Sipas deklaratës, këto masa përfshijnë edhe zhvillimin e kuadrove ligjore që rregullojnë importin dhe eksportin e këtyre substancave, si dhe vendosjen e sistemeve të licencimit për kompanitë që i përdorin ato për qëllime legjitime.
Liderët evropianë theksojnë se këto iniciativa janë veçanërisht të rëndësishme për rajonet që ndodhen në nyje kyçe logjistike ose që përballen me rrezikun e laboratorëve të paligjshëm të prodhimit të drogës, kategori ku përfshihet edhe Ballkani Perëndimor.
Dokumenti përcakton tre shtylla kryesore të luftës kundër drogës: luftën ndaj trafikimit të paligjshëm, veçanërisht në det dhe në porte; goditjen e rrjeteve financiare kriminale, përfshirë pastrimin e parave; si dhe forcimin e politikave të parandalimit, trajtimit dhe reduktimit të dëmeve.
Një element i rëndësishëm i strategjisë është fakti se më shumë se 80% e drogës që hyn në Evropë kontrabandohet përmes rrugëve detare, çka ka shtyrë BE-në të rrisë fokusin në sigurinë e porteve dhe bashkëpunimin ndërkombëtar në këtë fushë. Në nivel operacional, theksohet nevoja për veprime të përbashkëta detare për interceptimin e ngarkesave të drogës, si dhe përshtatjen e kuadrit ligjor për t’u përballur me forma të reja trafikimi, përfshirë përdorimin e mjeteve të shpejta detare dhe nëndetëseve të improvizuara.
Dokumenti nënvizon gjithashtu nevojën për forcimin e shkëmbimit të informacionit ndërmjet vendeve partnere, veçanërisht në lidhje me përdorimin e kriptovalutave në pastrimin e parave dhe sekuestrimin e aseteve kriminale. Parashikohet rritja e mekanizmave të konfiskimit të pasurive kriminale dhe intensifikimi i bashkëpunimit për monitorimin e transaksioneve digjitale.
Në aspektin social, strategjia parashikon krijimin dhe forcimin e observatorëve kombëtarë për drogën, sistemeve të paralajmërimit të hershëm, si dhe politikave të posaçme për mbrojtjen e të rinjve dhe grupeve të cenueshme.
Me këto masa, Ballkani Perëndimor pozicionohet si një hapësirë kyçe në strategjinë evropiane kundër drogës, me fokus të veçantë në kontrollin e zinxhirit të prodhimit dhe parandalimin e trafikimit drejt vendeve të Bashkimit Evropian.