Milani vuan pa Modrić-in, ‘shpëtimtari’ kroat në stërvitje për ndeshjen e fundit ndaj Cagliari-t

Milani ka përjetuar një nga paraqitjet më të dobëta të sezonit në Serie A, një humbje ndaj Sassuolos që ka rihapur seriozisht garën për një vend në UEFA Champions League. Trajneri Massimiliano Allegri nuk i ka kursyer kritikat, duke theksuar sidomos mungesën e ndikimit të Luka Modrić-it në mesfushë.

Pa kroatin në fushë, Milani u duk i çorganizuar dhe pa ide, ndërsa zëvendësuesi i tij nuk arriti të përmbushë pritshmëritë, duke bërë gabime vendimtare që çuan edhe në golin e kundërshtarit. Kjo humbje e ka komplikuar ndjeshëm objektivin e kuqezinjve, të cilëve u nevojiten edhe gjashtë pikë në tri ndeshjet e fundit për të siguruar Champions-in.

Situata është edhe më e veçantë për Modrić-in, i cili prej pak ditësh po rikuperohet pas një ndërhyrjeje kirurgjikale në fytyrë, pas dëmtimit të pësuar në ndeshjen ndaj Juventus. Fillimisht u mendua se sezoni i tij kishte përfunduar, por situata e re e ekipit ka ndryshuar planet.

Mëngjesin e sotëm, mesfushori kroat është paraqitur në qendrën stërvitore të Milanit në Milanello për të nisur terapi dhe punë individuale. Objektivi i tij është i qartë: të jetë gati për ndeshjen e fundit të sezonit ndaj Cagliari.

Rikthimi i mundshëm i Modrić shihet si një sinjal i rëndësishëm jo vetëm për Milanin në luftën për Champions-in, por edhe për vetë lojtarin, i cili kërkon të tregojë se ende mund të jetë vendimtar në nivele të larta, si dhe të marrë një vendim për të ardhmen e tij.

Ndeshja e fundit në ‘San Siro’ mund të jetë vendimtare: ose një kualifikim që i zgjat karrierën kuqezi, ose një lamtumirë emocionale për një nga mesfushorët më të mëdhenj të epokës moderne të futbollit.