Paradoksi në Belgjikë, vendi i 13-të nga kategoria, shpëtojnë tri skuadra më të dobëta

Në Challenger Pro League, kampionati i dytë i futbollit belg, është regjistruar një situatë e pazakontë që ka shkaktuar polemika të mëdha në fund të sezonit. Në një garë me 17 skuadra, përveç promovimeve në elitë, edhe zona e rënies ka prodhuar një rezultat të papritur dhe të diskutueshëm.

Skuadra e fundit në renditje, OC Charleroi, ka rënë direkt nga kategoria me vetëm 16 pikë. Por surpriza e vërtetë ka ardhur me rënien e RWDM Brussels, e cila u rendit e 13-ta me 33 pikë, por u penalizua edhe me tri pikë për arsye administrative, duke e çuar në zonën e rënies.

Paradoksi qëndron te fakti se pas RWDM-së u renditën tri skuadra me më pak pikë, përkatësisht Anderlecht U23, Genk U23 dhe Club Brugge U23, por asnjëra prej tyre nuk ra nga kategoria.

Sipas rregullores belge, ekipet U23 nuk mund të bien nga liga nëse nuk ka skuadra të tjera të reja të ngjitura nga kategoria më e ulët. Këtë sezon, nuk ka pasur promovime të ekipeve U23 nga divizioni inferior, duke bërë që tri skuadrat e të rinjve të mbeten automatikisht në kategori, pavarësisht renditjes më të dobët.

Si pasojë, RWDM Bruxelles u penalizua dhe u dërgua në ligën më të ulët, ndonëse kishte më shumë pikë se ekipet që mbijetuan. Kjo ka hapur debat të madh mbi drejtësinë e sistemit të kampionatit dhe ndikimin e rregullave specifike për ekipet e akademive.

Situata bëhet edhe më e rëndë për klubin nga Brukseli, i cili po kalon një periudhë të vështirë financiare dhe është përfshirë në probleme serioze administrative dhe pronësore. Për më tepër, klubi është ndëshkuar nga FIFA me një bllokim merkatoje për tri dritare transferimesh, duke e përkeqësuar edhe më shumë krizën.

Një sezon që duhej të gjykohej në fushë, për RWDM Bruxelles është kthyer në një histori rregullash, penalizimesh dhe vendimesh që kanë ndryshuar fatin e tij jashtë terrenit të lojës.