Gjykata lë në burg shoferin e aksidentit tragjik në Durrës, Avokatja: Radaçi nuk dha asnjë deklarim në seancë

Shoferi i dyshuar për aksidentin tragjik në Durrës është paraqitur sot në gjykatë, ku ka zgjedhur të mos flasë dhe nuk ka dhënë asnjë deklarim para trupit gjykues.

Gjykata ka caktuar ndaj tij masën e sigurisë “arrest me burg”, ndërsa seanca është zhvilluar pa praninë e familjarëve të të pandehurit.

LEXO EDHE: VIDEO/ Aksidenti fatal që u mori jetën dy fëmijëve, Gjykata vendos arrest me burg për Nikoll Radaçin

Avokatja e caktuar kryesisht nga shteti bëri të ditur se ndaj tij rëndojnë tre akuza të ngritura nga prokuroria, të parashikuara në nenet 290, 291 dhe 273 të Kodit Penal.

Sipas saj, neni 290 lidhet me shkeljen e rregullave të qarkullimit rrugor me pasojë vdekjen, neni 291 me drejtimin e mjetit në gjendje të parregullt, pasi dyshohet se ka qenë nën ndikimin e alkoolit, ndërsa neni 273 ka të bëjë me largimin nga vendi i aksidentit.

Avokatja sqaroi gjithashtu se i pandehuri ka zgjedhur të mos japë asnjë shpjegim gjatë seancës.  Në seancën e sotme, sipas burimeve, nuk është paraqitur asnjë familjar i të pandehurit.

Deklarat e avokates: 

Gjykata caktoi masën e sigurimit arrest në burg, masë e cila pritej. Nga prokuroria ka ardhur me tre akuza, siç edhe pritej, 290-ta, 290 paragrafi i katërt, 291 dhe 273. 

I pandehuri nuk foli fare, dukej në në gjendje të rënduar psikologjike, nuk pranoi të fliste, nuk dha shpjegim përpara gjykatës. 

Unë isha e caktuar nga shteti për të realizuar mbrojtje, duke qenë se nuk kishte një avokat të zgjedhur. 

Neni 290 dhe 291 kanë të bëjnë me shkeljen e rregullave të qarkullimit. 290-ta katër që specifikon në qoftë se ka pasojë vdekje ose plagosje të rëndë.

Nga pesë vite deri në 20 vite parashikohet dënimi me burg. 291 është drejtimi i mjeteve në gjendje të parregullt ku konkludon me pirjen e alkoolit, duke qenë se ka rezultuar i dehur dhe 273-shi është largimi nga vendi i qëndrimit. 

Nga largimi nga vendi i aksidentit. Ai ka dhënë deklarimet atje, ka pasur një avokat mbrojtës tjetër. 

Dosjen e kam lexuar, ka shprehur pendesë, ndihet i penduar. 

Edhe sot, edhe sot ishte dhe dukej në gjendje të rëndë psikologjike. 

Atyre që i ka thënë atje, i qëndron akoma.