Në prag sezonit turistike, Shkodra ende pa zgjidhje për infrastrukturën dhe menaxhimin e mbetjeve

Në prag të sezonit turistik, Qarku i Shkodrës përballet me një sërë problematikash serioze që rrezikojnë mbarëvajtjen e turizmit, një nga sektorët kryesorë të ekonomisë vendore.

Gjatë mbledhjes së Komitetit Rajonal të Zhvillimit të Turizmit, u evidentuan mangësi të theksuara në infrastrukturë, menaxhim dhe shërbime bazë, duke nxjerrë në pah dështimin e institucioneve për të garantuar standarde minimale.

Zv/kryetari i Bashkisë Pukë, Ferit Ringaj, ngriti shqetësimin për gjendjen e rënduar të infrastrukturës rrugore, duke theksuar se projektet ekzistojnë, por mungon mbështetja financiare nga qeveria. Sipas tij, mungesa e fondeve po lë në vendnumëro investimet jetike për zonat turistike.

Nga ana tjetër, në Bashkinë Malësi e Madhe vijon të mbetet problematik menaxhimi i mbetjeve, një çështje që dëmton jo vetëm imazhin turistik, por edhe mjedisin.

Edhe prefektja e Qarkut Shkodër, Holta Duda, pranoi publikisht se situata mbetet problematike. Ajo renditi disa nga sfidat kryesore, si menaxhimi i trafikut gjatë sezonit turistik, ndotja akustike dhe ajo mjedisore.

Ndërkohë, trafiku i rënduar vijon të jetë një nga shqetësimet më të mëdha, veçanërisht në Bashkinë Shkodër, ku fluksi i automjeteve gjatë verës shpesh del jashtë kontrollit, duke krijuar kaos dhe duke ulur ndjeshëm cilësinë e përvojës turistike.

Pavarësisht paralajmërimeve të vazhdueshme ndër vite, problematikat mbeten të pazgjidhura, duke ngritur pikëpyetje mbi përgatitjen reale të institucioneve për të përballuar sezonin turistik.