Juventusi në alarm, pa Champions rrezikon të humbasë Yildiz, Vlahović dhe Bremer

Situata tek Juventusi është bërë tejet delikate në prag të tri ndeshjeve të fundit të sezonit, që do të vendosin fatin e klubit në garën për një vend në UEFA Champions League. Skuadra e drejtuar nga Luciano Spalletti ka ende gjithçka në dorë, por çdo hap fals mund të sjellë pasoja të mëdha, si në aspektin sportiv, ashtu edhe në atë të merkatos.

Bardhezinjtë do të përballen me Lecce-n në transfertë, më pas me Fiorentinën në shtëpi dhe në fund me rivalët e Torinos në derbi. Për të qenë të sigurt për një vend në katërshen e parë, Juventusi ka nevojë për një ecuri perfekte, pra nëntë pikë në tri ndeshje. Çdo rezultat tjetër mund ta lërë jashtë elitës europiane.

Dështimi për të siguruar Champions-in do të hapte një kapitull të ri dhe të vështirë për klubin. Jo vetëm drejtuesit, me emra si administratori Damien Comolli, mund të jenë në diskutim, por edhe vetë struktura e skuadrës rrezikon të ndryshojë ndjeshëm. Aktualisht, të vetmet pika të sigurta për të ardhmen konsiderohen Spalletti dhe Giorgio Chiellini, ndërsa pjesa tjetër mbetet e hapur për çdo skenar.

Një nga emrat më të përfolur është Kenan Yıldız. Talenti turk ka besuar te projekti i Juventusit, por dëshiron të luajë në skenën më të madhe europiane. Pa Champions, ai mund të tundohet seriozisht nga interesimi i Real Madridit, që prej kohësh e ndjek me vëmendje.

Situatë e ngjashme edhe për Dušan Vlahović-in, e ardhmja e të cilit ishte në dyshim edhe më parë. Sulmuesi serb mund të largohet, me disa klube të interesuara si në Itali, ashtu edhe në Premier League, edhe pse një transferim brenda vendit do ta detyronte të ulte pretendimet financiare.

Në radarët e klubeve angleze janë gjithashtu Francisco Conceição dhe Gleison Bremer. Ky i fundit nuk konsiderohet i pashitshëm dhe, në rast të një ridimensionimi të projektit, mund të jetë një nga sakrificat e mëdha të verës.

Në këtë kontekst, tri ndeshjet e fundit marrin një rëndësi vendimtare. Juventusi duhet të reagojë menjëherë nëse dëshiron të shmangë një revolucion të plotë. Në një garë ku janë të përfshirë edhe Milan e Roma, çdo gabim mund të kushtojë shtrenjtë. Dhe këtë herë, më shumë se kurrë, kush gabon… paguan.