‘Lista e zezë e qeverisë’, Teliti: Si i mban peng shteti fituesit e gjyqeve, paguhen dy persona për një vend pune...

Administrata publike shqiptare përballet me një fenomen alarmues, ku qindra punonjës që kanë fituar të drejtën e rikthimit në punë me vendim gjykate, mbahen në një listë pritjeje të pafundme, ndërkohë që vazhdojnë të paguhen nga buxheti i shtetit.

Sipas ekspertit të PD Dorjan Teliti që ishte i ftuar në emisionin e mëngjesit Kafe Shqeto në Syri tv, problemi nuk qëndron te mungesa e mundësive për të sistemuar këta punonjës, por te një “mungesë e qartë vullneti” nga ana e institucioneve. Punonjësit, të cilët kanë fituar gjyqet kundër largimeve të padrejta nga puna, paguhen rregullisht çdo muaj, por nuk u lejohet të kthehen në pozicionet e tyre. Në të njëjtën kohë, paguhet edhe personi që aktualisht mban atë vend pune, duke shkaktuar një dëm të dyfishtë për arkën e shtetit. Për një pozicion të vetëm, taksapaguesit shqiptarë paguajnë dy rroga.

Gjatë bisedës me moderatorin Flavio Qarri, Teliti tha se ky është një abuzim flagrant me financat publike dhe një shkelje e hapur të vendimeve të gjyqësorit. Fenomeni është veçanërisht shqetësues pasi ndodh në vitin e 13-të të së njëjtës qeverisje, një periudhë ku pritej stabilizim dhe jo praktika që zakonisht shihen gjatë rotacioneve politike. Kjo gjendje konsiderohet tashmë “e patolerueshme”.

Dyshohet se në themel të këtij qëndrimi qëndron një formë përndjekjeje politike. Përderisa në administratë ekzistojnë dhjetëra vende vakante, nga nivelet më të larta drejtuese deri tek ato specialiste, mosakomodimi i fituesve të gjyqeve tregon për një vullnet të qartë për t’i mbajtur ata jashtë sistemit, në një listë të padeklaruar personash “non grata”. Kjo praktikë dëshmon se klientelizmi dhe ndikimet joligjore vazhdojnë të jenë më të fuqishme se vendimet e gjykatave dhe vetë ligji.

Flavio Qarri: E para njëherë ka ca gjëra që s'arrij dot t'i kuptoj. Paaftësia për të zbatuar vendimet, sasia e madhe e parave dhe e pozicioneve të punës të bllokuara. Tani, nëse ky nuk është kolaps, cili është epiteti më i përshtatshëm?

Dorjan Teliti: Unë e shoh më tepër mungesë vullneti. Pra nuk është se s'kanë mundësi t'i akomodojnë, thjesht nuk kanë dëshirë t'i akomodojnë. Po, paska punën e asaj listës së zezë që kanë krijuar. Kanë krijuar një listë të zezë. Dhe... janë non grata këta njerëz. Këta janë non grata, tamam. Pra këta janë një listë e zezë, persona të cilët e kanë fituar, dhe kanë të drejtë, kanë arsimimin. Paguhen, marrin rrogën dhe sot që flasim. Paguhen nga buxheti i shtetit. Kosto e dyfishtë për ne. Pra ne paguajmë dhe Flavion i cili është në vendin e punës, edhe Dorin i cili ka fituar, ka pasur më para vendin e Flavios, që ka fituar gjyqin për t'u kthyer në vendin e Flavios. Por që nuk kthehet dhe paguhet. Për të njëjtin pozicion paguhen dy persona.

Flavio Qarri: Por një sekond. Nëse Flavio është i paaftë, i bie që ne paguajmë dhe një të tretë që të bëjë punën pastaj.

Dorjan Teliti: Tani, paaftësirat në administratë është çështje më vete pastaj. Administrata publike ka njerëz që janë shumë të mirë, por që ka dhe njerëz pastaj që s'e kanë haberin fare se ku janë. Pra, ky është realiteti 35-vjeçar, me thënë të drejtën, që administrata publike ka njerëz vërtetë që janë profesionistë, specialistë, që janë vërtetë dinjitozë dhe këto i gjen në çdo institucion. Punonjës shteti. Por janë një numër i vogël i këtyre. Pjesa më e madhe pastaj e tyre, që siç hyjnë dhe dalin, as s'e kanë haberin fare se çfarë bëjnë e çfarë stazhojnë, se çfarë shkruajnë e se çfarë e çfarë firmosin. Thjesht habiten, të kenë marrëdhënie të mira me shefin, me eprorin, pra, leqe-peqe, sepse fatkeqësisht jetojmë në Shqipëri ku maliqi edhe në vitin 2026 që jemi, është shumë më i fuqishëm sesa vetë ligji.

Kështu që ky është realiteti. Gjithsesi, ajo që është shqetësuese është që edhe në vitin e 13-të të qeverisjes, pra kemi 13 vite qeverisje, se këto janë fenomene zakonisht që ndodhin kur bëhen rotacionet politike. Që vjen një ekip i ri politik i cili nuk përputhet për arsye nga më të ndryshmet, ca të drejta, ca jo të drejta, me ekipin e vjetër dhe fillon bën këto katarsis brenda për brenda. Po pas 13 vitesh të kesh ende vendime të pazbatuara dhe të vazhdosh të paguash dy persona për një vend pune, kjo është diçka e cila është tashmë e patolerueshme.

Flavio Qarri: Po a është kjo një shkelje? Pra KLSH-ja...

Dorian Teliti: Absolutisht që po. Shkelja është gjithmonë. Për një vend pune paguhet një person. Ai person duhet të kryejë madje edhe punën. Ne mund të kemi situata sot që për një vend pune paguhen dy persona, që asnjëri prej tyre s'e kryen punën. Se ka dhe plot nga këto raste. Kështu që absolutisht që është shkelje, është abuzim me financat publike. Dhe siç turren ata policët për të kapur atë plakën që shkel, pragun e shtëpisë, për ato tre domatet që i ka pa letra, që i ka nga baçja, që i thonë, kush është burimi i prodhimit? Baçja ime thotë plaka. Oborri i shtëpisë time thotë. Ato dy dynym që ka atje që i ka mbjellë me speca, turren atje pesë policë, sepse është bërë një evazion fiskal prej 400 lekësh, se për këtë po flasim, ndërkohë që kur ka abuzime pastaj marramendëse prej miliona lekësh çdo muaj, dhjetëra miliona lekësh çdo muaj, këtu heshtje, mundohen ta kamuflojnë me këtë pjesën, jo po siç shiko paaftësi, jo po siç shiko koha, afatet e kështu me radhë. Është diçka e cila është problematike, por është diçka e cila po bëhet, bëhet me bekimin e vetë strukturave shtetërore. Pra ata e dinë, nuk marrin masat, kanë një listë të zezë atje, që thonë Flavio dhe Dorjani nuk qasin në administratë me këtë sistem, me këtë qeverisje që është në pushtet. Kanë vendimin e gjyqit, s'kemi çfarë të bëjmë, paratë do t'ia japim, se ky është vendim gjyqësor edhe hyjnë pastaj në lojë përmbarimi, janë të detyruar ta bëjnë ta bëjnë pagesën. Por ama rikthimi në vendin e punës, ç'ka do ishte dinjitoze. Ç'do ishte normale, se çdokush ka investuar në jetën e vet për t'u arsimuar dhe më pas arsimin e ka pikërisht një instrument për të pasur një vend pune dhe për të pasur karrierë, ja bllokojnë në mënyrë të padrejtë. Pra nuk kemi thjesht dëmin financiar, po dëmin moral. Po dëmin në faktin që ke njerëz sot të cilët prej vitesh po mohohet e drejta për të dhënë kontributin e tyre në shoqëri. Ore ka njerëz sot që nuk duan thjesht të marrin rrogën. Se rrogën do ta marrin, po njësoj, siç janë duke e marrë edhe pa qenë në vendin e punës. Po duan të japin kontributin e tyre, duan të mbajnë aftësitë e tyre të gjalla....