'GJL ndryshon praktikën për 'arrestin me burg'/ Hoxhaj: Pa ndryshime në ligj dhe sistem, vendimi nuk sjell asnjë përmirësim
Një vendim unifikues i Gjykatës së Lartë për masën e sigurisë “arrest me burg” ka ndezur debate të forta, por sipas ekspertëve ligjorë, ai është vetëm një “tentativë e dështuar” për të zgjidhur një problem shumë më të thellë në sistemin e drejtësisë.
I ftuar ditën e sotme në 'Kafe Shqeto', avokati Arbër Hoxhaj tha se ky vendim nuk do të sjellë përmirësimin e pritshëm në një situatë ku numri i të paraburgosurve tejkalon atë të të dënuarve.
Avokati argumentoi se Gjykata e Lartë ka dështuar në misionin e saj themelor për të kontrolluar gjykatat më të ulëta, të cilat në mënyrë të vazhdueshme kanë caktuar masën “arrest me burg” pa respektuar kriteret ligjore.
Konkretisht, sipas nenit 230 të Kodit të Procedurës Penale, kjo masë duhet të jepet vetëm kur plotësohen dy kushte në mënyrë kumulative: rrezikshmëria e veçantë e veprës penale dhe rrezikshmëria e veçantë e autorit. Në praktikë, ky parim është shpërfillur sistematikisht.
Ironikisht, mazhoranca politike që sot pranon problemin e mbipopullimit të burgjeve me të paraburgosur, është e njëjta që në vitin 2013 e prezantoi masën e arrestit në burg si një mjet ndëshkues dhe shtrëngues.
Kjo masë u përdor gjerësisht edhe për fenomene me rrezikshmëri të ulët shoqërore, si vjedhja e energjisë elektrike, ujit apo drejtimi i mjetit në mënyrë të parregullt, duke e kthyer atë në një normë dhe jo në një përjashtim.
Në përfundim, avokati tha se për të sjellë një ndryshim real, nevojiten reforma rrënjësore dhe jo thjesht vendime gjyqësore.
Deklarata e plotë:
"Së pari, gjykata e lartë nuk e ka përmbushur misionin e saj, që është kontrolli mbi gjykatat e ulëta dhe të shkallës së parë dhe të gjykatës së apelit, qoftë edhe kjo e juridiksionit të përgjithshëm, qoftë edhe e posaçme.
Së dyti, gjykata e lartë, me këtë vendim, le të themi, jo vetëm unifikues, është një tentativë e dështuar për të shpjeguar në mënyrë shteruese atë që parashikohet përkatësisht në nenin 230 të kodit, 228 dhe 230 të kodit të procedurës penale.
Pra nëse do t'i referohemi nenit 230, është e zeza mbi të bardhë, lidhëza kumulative. Pra masa e sigurimit arrest me burg duhet të jepet për shkak të rrezikshmërisë së veçantë të veprës dhe të autorit. Pra duhet të përmbushen të dyja këto kushte që të jepet masa e sigurimit arrest me burg.
Dhe së treti, kjo mazhorancë që pretendon që (ky është fakt që kemi më shumë të paraburgosur se të dënuar) është e njëjta mazhorancë që prezantoi masën e sigurimit arrest në burg në vitin 2013, si një instrument jo për të siguruar provat, vërtetësinë e tyre, moslargimin e personit nga përgjegjësia penale ose të kryejë rrezikun për të kryer një vepër penale po aq të rëndë ose më të rëndë, por e prezantoi masën e sigurimit arrest me burg si një mjet shtrëngues dhe ndëshkues për disa fenomene të cilat vërtetë ishin negative, por me rrezikshmëri të ulët shoqërore, siç ishte vjedhja e energjisë elektrike, vjedhja e ujit, vjedhja e impulseve telefonike, apo pse jo edhe drejtimi i mjetit në gjendje të parregullt. Pjesa dërrmuese ishin dhe pa pa patentë.
Në këto kushte, masa e sigurimit arrest me burg, sigurisht që u bë problem, por unë nuk besoj që gjykatën e lartë nuk e zinte gjumi këto 10 vjet, derisa nxori këtë vendim unifikues. Tani, a do të ketë një, le të themi, përmirësim të situatës pas këtij vendimi unifikues, apo jo? Unë besoj që nuk do të ketë një përmirësim të situatës pas vendimit unifikues.
Së pari me çfarë lexova, le ta themi me një vështrim të shpejtë, duket që masa, duket që ky vendim unifikues, së pari thotë prokurori, ndërkohë unë nuk e besoj dhe zoti Muçi mund të na e shpjegojë më mirë se si një vendim unifikues mund të detyrojë prokurorin që ta arsyetojë për aq kohë sa prokurori është, nuk është pjesë e dhënies së drejtësisë, sigurisht që kryen hetime dhe përfaqëson akuzën në emër të shtetit, por është gjykata ajo që jep drejtësinë.
Dhe së dyti, nuk besoj që do të sjellë një zgjidhje të situatës. Realisht, nëse duam të kemi një përmirësim të situatës, unë besoj që duhen ndryshuar disa gjëra.
Duhet ndryshuar pushteti diskrecional i gjyqtarëve, pra i gjykatës. Që do të thotë që të ndryshohet kodi i procedurës penale dhe për një sërë veprash penale, të cilat realisht kanë një rrezikshmëri të ulët shoqërore dhe realisht edhe autori ka një rrezikshmëri të ulët shoqërore, të mos jepet masa e sigurimit, pra mos të caktohet masa e sigurimit arrest me burg.
Së dyti, që në vitin 2016 ne kemi një ligj për mbikqyrjen elektronike, i cili nëse do të funksiononte, mbikqyrja elektronike supozohet që të gjithë personat me një rrezikshmëri më të ulët shoqërore, t'i caktohet masa e sigurimit arrest shtëpie, t'i vendoset byrzylyku elektronik, të kemi një sallë të mbikqyrjes elektronike dhe sigurisht të paktën në këndvështrimin tim do të ulet me 30-40% le të themi masat e sigurimit të arrest në burg.
Së treti le të themi, adresat, pas 35 viteve të rënies së komunizmit, në Shqipëri sot nuk kemi një sistem adresash. Dhe kur gjykata do që të caktojë masën e sigurimit arrest në në shtëpi, adresat janë nga më të çuditshmet, te pallati i kuq, përballë shkollës, kati i shtatë, dera ngjyrë portokalli.
Dhe së fundmi, duhet të kemi edhe një, le të themi, ndryshim në shkollën e magjistraturës, sepse është për të ardhur keq se si gjyqtarë që kanë lindur pas vitit 1995, janë më komunistë se komunistët dhe kjo unë besoj që ndikon nga lidershipi dhe nga drejtimi i shkollës së magjistraturës".