VIDEO/ Shkullaku: Me Ramën nisi epoka e blerjes së medias përmes reklamave dhe favoreve shtetërore

 

Gazetari Armand Shkullaku, i ftuar në emisionin Çim Peka LIVE në SYRI TV, bëri një analizë të gjendjes së mediave shqiptare, duke identifikuar dy faza kryesore të kapjes së yre nga pushteti.

Sipas Shkullakut, deri në vitin 2001 mediat shqiptare ishin krijesa të gazetarëve, që ndërthurnin gazetarinë me biznesin. Kthesa erdhi kur u kuptua se këto media kishin ndikim të fortë publik.

Ai identifikoi dy faza të kordinuara, të cilat i atribuoi strategjisë së Edi Ramës qysh kur ishte kryetar bashkie i Tiranës.

Faza e parë: Blerja e pronarëve. Sipas tij, biznesmenit iu ofruan përfitime konkrete, leje ndërtimi, privatizime dhe kontrata, në këmbim të linjës editoriale miqësore me pushtetin.

Faza e dytës ishte: Shteti si financues. Kontrata reklamuese shtetërore, mes të cilave fushatat e njohura si ajo "luftë kundër drogës" me qindra milionë lekë të shpërndara mes mediave. "Shteti u bë provider", deklaroi ai.

‘Kur ishte Rama kryetar bashkie, që thosha unë ‘Gëbelsi’, që bënte të gjithë ideologjinë se si duhet të kapeshin mediat ndodhi fenomeni që ishte i padëgjuar të paktën për brezin tonë, i  reklamave.

Ishim reklamat. Deri në 2001-shin kishim qenë gazetarë që kishin bërë media. Klani, Media +, Aleanca, po kush i mban mend, Koha Jonë, Albania, nëse doni, 55-a. Kur e kuptuan që këta paskan ndjeshmëri ndaj mediave, filloi radha e ndërtuesve.

Koço që i pari, vijoi Irfani, vijuan ca të tjerë, nga bizneset u krijuan mediat. Jo më mediat të krijuara nga gazetarë, që mund të bëhej dhe biznes, nuk ka rëndësi, ke sukses, nuk ke sukses, por ideja primare e medias gazetarëve, ndodhi që bëri dhe ai biznesmen pastaj.

Mbasi u bë kjo, ndodhi fenomeni numër dy, prapë i ideuar nga Edi Rama. Tha, ne nuk kemi pse të kemi media kundërshtare. Ne nuk jemi budallenj. Ne të gjithë i kemi partnerë. Çfarë do ti vëlla? Leje për pallat? Na tre. Çfarë do ti? Të privatizosh, privatizoje.

Dhe në këtë moment u krijua dhe elementi numër dy që, çfarë, shteti u bë provider.

Ajo reklama e famshme që u nda atëherë, luftë kundër drogës, 700 milionë a sa ishin, që u ndanë për mediat me thes. Kështu që, me ardhjen e Ramës në pushtet, se Rama kishte gjysmë pushteti atëherë, se Partia Socialiste ishte e ndarë në disa fraksione, pra nuk ishte e njëjtë vetëm që e votonim.

Në momentin që e mori të gjithën në dorë, çfarë bëri Rama? Rama, bëri partnerë dhe të gjithë kundërshtarët. Atë që thotë në parlament, e ke dëgjuar, është filozofia e Ramës, që thoshte ngrije kokën biznesmenët, e kujt janë? Ram Geci, Bashkim Ulaj, Zamir Mane, kë numëronte atëherë, s'janë të mitë, janë tuaj. Edhe mediat nuk janë të miat, janë të tuajat që mora unë.

Domethënë merr një sistem, si do ta kalërosh më kollaj? Është, e dimë se e kemi cituar disa herë atë librin ‘Si vdesin demokracitë’, pak nga pak, pak nga pak, e blen, e blen dhe krijohet varësinë dhe mbaron historia. Dhe jemi këtu ku jemi sot.

Sot nuk do kishim nevojë për asnjë gazetar, shikojmë një emision publicitar, pra për asnjë gazetar. 10 minutat e para janë Rama, tha, Rama në samit, Rama ngushëllime familjeve, Rama përqafon Melonin. Pesë minutëshi i dytë, Sali Berisha thotë që Rama mashtron, që kjo është bërë gabim, që kjo... E treta, ai ishte në burg, se ishte dhe ai, e zë nja katër-pesë minuta Erion Veliaj.

Lajmet e tjera i bën Reuters, ato nga bota, sporti, Interi fitoi kampionatin dhe mbaroi lajmi’, tha gazetari Armand Shkullaku ndër të tjera në SYRI TV.