VIDEO/ Buzhala: Në Kosovë ka media të mëdha kundër qeverisë, në Shqipëri ka biznese të mëdha me media

Gazetari Berat Buzhala ka komentuar gjendjen e mediave në Shqipëri dhe Kosovë. I ftuar ‘Çim Peka LIVE’ në SYRI TV, ai ka ngritur shqetësime për pavarësinë e tyre dhe ndikimin e politikës dhe biznesit.

Duke iu referuar raporteve ndërkombëtare, Buzhala përmendi organizatën Reporterët pa Kufij, sipas së cilës Shqipëria renditet me problematika serioze në fushën e lirisë së medias, ndërsa Kosova dhe Serbia paraqiten në nivele të ngjashme, me dallime të vogla mes tyre.

Sipas tij, në Kosovë ekziston një rezistencë më e madhe e mediave ndaj qeverisë, megjithëse ai theksoi se presioni politik nuk mungon. Në të kundërt, për Shqipërinë ai u shpreh se shumë media të mëdha funksionojnë si biznese, duke e parë televizionin më shumë si aktivitet tregtar sesa si institucion gazetarie.

‘Domethënë, sipas Reporterëve pa kufij, keq është Shqipëria, shumë, domethënë. Se unë megjithatë ato i marr barometër, sepse ne e kemi pikëpamjen tonë, jemi shumë brenda.

Serbia është më keq, Kosova, Shqipëria janë aty-aty. Për reporterët pa kufij, domethënë, që e bëjnë profesionistët që s'i kanë interesat me qeverinë.

Fatkeqësisht, duhet me thënë, në Kosovë rezistenca është më e madhe e mediave përballë qeverisë.

Nuk po mungon disponimi i qeverisë me i ndëshku mediat atje, domethënë ekziston ai disponim, po këtu, në Shqipëri nuk ka media të mëdhaja, ka biznese të mëdhaja që e kanë edhe një derë aty, që thonë, e kanë marrë licencën për media, bëjnë biznes pastaj aty shkruajnë televizion.

Domethënë aty e kanë ruajtur atë, domethënë vetëm një edicion të lajmeve, se unë mediat, ëh, në fakt, se e kam pasur këtë betejë edhe më moti edhe në studio të tjera, mediat janë edicioni qendror i lajmeve.

Në botë është një, si me thënë, BBC-ja, këto mediat që ne i glorifikojmë, mediat e mëdha, serioze, po dhe në Gjermani, nuk ka këtu asnjë televizion që ka gazetari hulumtuese për qeverinë. Domethënë, kur i sheh edicionin qendror të lajmeve, ato janë... E tash, këtu është fatkeqësia, sepse i dhënë hapësirë të konsiderueshme opozitës si lajm aty. Domethënë në renditje, i katërti, i pesti, del diku.

E tash, kur je në një situatë të tillë, kur ti je i paanshëm, ti je me qeverinë. Domethënë, ti kur je, kur s'ke ti qëndrim, edhe e raporton çka tha Rama, e raporton çka tha Belindja, e raporton çka tha Berisha, edhe u krye edicioni qendror i lajmeve. Këto s'janë lajme, kjo është si thonë, nëse për lajmin që e ke publikuar ti, nuk frikësohet kërkush, ti s'ke bërë lajm, ti ke bërë propagandë’, tha gazetari Berat Buzhala gjatë debatit në SYRI TV.