Berat Gjimshiti hyn në histori, kapiteni shqiptar shkruan emrin mes legjendave të Atalantës
Atalanta zhgënjeu në javën e fundit të Serie A, duke mos shkuar më shumë se një barazim pa gola ndaj Genoas. Megjithatë, kjo ndeshje kishte një shije krejtësisht të veçantë për Berat Gjimshiti.
Mbrojtësi dhe kapiteni i Kombëtares shqiptare arriti një moment historik, duke u bërë lojtari i katërt me më shumë paraqitje në historinë e klubit bergamask.
Gjimshiti numëron tashmë 332 ndeshje me fanellën zikaltër, një shifër që e vendos mes emrave më të rëndësishëm të klubit.
Vetë klubi reagoi përmes rrjeteve sociale, duke vlerësuar arritjen e mbrojtësit shqiptar: “Një tjetër hap në histori për Gjimshitin, i cili tejkalon Giuliano Bonacina dhe ngjitet në vendin e katërt për paraqitjet e të gjitha kohërave”.
Para tij në këtë renditje historike qëndrojnë vetëm tre emra të mëdhenj: Marten de Roon me 442 ndeshje, Gianpaolo Bellini me 435 dhe Mario Pašalić me 341 paraqitje.
Nëse qëndron edhe sezonin e ardhshëm tek Atalanta, Gjimshiti ka mundësi reale të ngjitet edhe më lart në këtë listë elitare, duke konfirmuar statusin e tij si një nga figurat më të rëndësishme në historinë e klubit italian.