'Çështja Balluku' dhe Integrimi/ Ministri Hoxha u shmanget pyetjeve të opozitës për bllokimin nga BE

Ministri për Europën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha, e ka justifikuar bllokimin e negociatave me BE me pretendimin se nuk ka informacion. Ndërkohë që deputetët e opozitës, duke iu referuar lajmeve nga Brukseli, deklaruan se bllokimi i raportit për Shqipërinë ka ardhur si pasojë e mos përmbushjes së reformave në shtetin e së drejtës, korrupsionit dhe çështjes Balluku.

Ferit Hoxha i shmangu këto çështje, duke theksuar se nuk ka dijeni se çfarë ka diskutuar Komisioni Europian dhe përfaqësuesit e vendeve anëtare për Shqipërinë.

Deputeti demokrat Belind Këlliçi e pyeti ministrin e Jashtëm nëse bllokimi është pasojë e votimit për imunitetin e Belinda Balluku dhe nëse gjendet në konflikt interesi, në kushtet kur vëllai i tij akuzohet nga SPAK për pastrim parash dhe pjesëmarrje në grup kriminal në dosjen “Akshi”. Por ministri sërish  u justifikua duke thënë se nuk mban përgjegjësi për familjarët e tij.

Ferit Hoxha sërish as nuk mohoi dhe as nuk u distancua nga etiketimi fyes ndaj shqiptarëve të Maqedonisë së Veriut, ku në mesazhe në një grup WhatsApp i cilësonte ata “idiotë”.

Ministri i Jashtëm bëri avokatin e kryeministrit Edi Rama,duke vlerësuar artikullin e përbashkët me presidentin serb Aleksandër Vuçiç,  ku propozonin anëtarësim pa të drejtë vetojë në union, megjithëse kjo ide u hodh poshtë nga Bashkimi Europian, duke thënë se procesi i anëtarësimit bëhet vetëm me të drejta të plota, bazuar në meritë.