‘Këndet e lojërave janë zëvendësuar me kullat e drogës’, Balliu: Pastrim parash në kurriz të fëmijëve!
Ngjarja e rëndë e humbjes së jetës së dy fëmijëve dhe plagosjes së një tjetri në një aksident tragjik në Durrës, ka shkaktuar jo vetëm dhimbje, por ka ndezur një debat të ashpër mbi përgjegjësitë e shtetit dhe sigurinë e qytetarëve.
I ftuar në edicionin e mesditës në Syri Tv nën moderimin e Arnold Kariqit, deputeti demokrat, Klevis Balliu tha se tragjedia është e lidhur ngushtë me probleme sistemike, që nga infrastruktura e dobët deri te korrupsioni dhe lidhjet e pushtetit me krimin e organizuar.
Duke shprehur ngushëllimet më të sinqerta për familjet, Balliu theksoi se kjo nuk është një ngjarje e izoluar, por pasojë e një shteti që nuk u shërben qytetarëve.
Sipas tij, problemet me sigurinë rrugore, mungesa e ndëshkimit për shkelësit dhe infrastruktura e lënë pas dore janë shkaktarë të vazhdueshëm të viktimave.
Kritik, Balliu ishte edhe ndaj hipokrizisë së zyrtarëve të lartë, të cilët shfaqen të pikëlluar publikisht, ndërkohë që, sipas tij, mbajnë përgjegjësi direkte për politikat që krijojnë mjedise të pasigurta.
Balliu u shpreh se institucionet kanë zhdukur hapësirat publike dhe rrezikut në rritje për jetën e fëmijëve.
Sipas tij, fëmijët detyrohen të luajnë në rrugë, pasi këndet e lojërave dhe parqet janë zëvendësuar nga "pallatet e krimit të organizuar" dhe "kullat e drogës".
Ngushëllimet më të sinqerta familjes. Uroj me zemër që Zoti t'i japë forcë për të përballuar këtë tragjedi të madhe që ka prekur pa diskutim çdo qytetar shqiptar dhe mendoj që problemet janë të theksuara në lidhje me mbarëvajtjen e rrugëve, evidentimin e këtyre problemeve dhe dënimin e këtyre shkelësve. Në rastin konkret, por dhe në shumë raste të tjera, ka shpesh denoncime nga qytetarë për individë të caktuar të cilët udhëtojnë të pirë apo janë thjesht si të thuash i japin keq makinës apo diçka të tillë. Pa diskutim edhe infrastruktura ka sjellë probleme shumë të mëdha ndër vite dhe shumë nga viktimat e rrugëve janë viktimë në fakt e infrastrukturës së dobët në Shqipëri. Por, rasti konkret është një rast i dhimbshëm që duhet të na bënte bashkë të gjithëve dhe për të marrë në dorë fatet e këtij vendi për të siguruar të paktën jetën e fëmijëve tanë.
Aty mund të ishte fëmija i gjithsecilit prej nesh. Është një krim i jashtëzakonisht i madh. Krimineli në fjalë që e ka kryer këtë veprim, pa diskutim për familjarët nuk ka ndonjë dënim që mund t'i mbushi zemrën e tyre sepse kur ikën fëmija, të ikën dhe shpirti dhe zemra dhe është një, dhe si baba i ri, realisht më vjen jashtëzakonisht shumë keq për këtë që ka ndodhur. Pa diskutim nuk është zgjidhja që ti nxjerr një situatë, shikon një situatë dhe thua do të marr disa masa. Masat duhet të ishin marrë me kohë. Po prej kohësh ne jemi një shtet që nuk i shërbejmë qytetarëve të vendit tonë.
Ne jemi një shtet i zhurmshëm me llum, me vjedhje, me korrupsion, me krim, me drogë dhe me një qeveri e cila nuk ka kohë të merret me askënd tjetër përveç vetes së vet, sepse duhet të mbrojë pushtetin e vet nga të gjitha krimet që i kanë dalë tani në pah. Kjo është arsyeja pse nuk kemi më një, nuk kemi një shtet normal, që të kujdesemi për qytetarët. Gjithsesi nuk dua të zgjatem për këtë, nuk dua të flas politikisht për këtë ngjarje se nuk është as ngjarje e tillë, as, as vendi as momenti, por e vetmja gjë që mund të them për këtë gjendje është, për këtë situatë dhe për këtë rast, është vetëm t'i shpreh ngushëllimet nga zemra familjes dhe me zemër uroj Zoti t'i japë forcë për të përballuar këtë situatë të vështirë.
Sot fëmijët kudo në të gjithë Shqipërinë luajnë në rrugë, buzë rrugës, në trotuar apo diku, sepse këndet e lojërave tanimë janë një kujtim i largët. Këndet e lojërave janë zëvendësuar me kullat e drogës, me pallatet e krimit të organizuar, ku pastrohen paratë dhe ju e shikoni nga konfiskimet që janë bërë së fundmi edhe nga institucionet e drejtësisë, që çfarë konfiskohet më së shumti? Apartamente. Sepse aty pastrohen paratë e drogës. Ndërtimi është fusha ku pastrohen paratë e drogës dhe ndërtimi heq, mbindërtimi më saktë, jo ndërtimi por mbindërtimi, heq këndet e lojërave, heq lulishtet, betonizon gjithçka dhe krijon një ambient të tillë. Po, thashë, kurse pafytyrësia e këtij pushteti pastaj dihet, ky është i njëjti pushtet që pak kohë më parë deklaronte se një djalë 16 vjeç humbi jetën për faj të TikTok-ut dhe jo për shkak të mungesës së sigurisë në shkollë.
Pra është i njëjti pushtet, është një pushtet që nuk ndërron. Është një pushtet i kalbur në llumin dhe imoralitetin e vet dhe pafytyrësia e tyre nuk njeh limit. Se përkujdesja e tyre, babaxhanllëku i tyre, është vetëm për pushtetin e tyre. Nuk ka të bëjë me qytetarin, nuk ka të bëjë me interesin e vendit, nuk ka të bëjë me pastërtinë, por ka të bëjë vetëm me llumin. Ato janë zhytur aq shumë në llum sa tani nuk kanë asnjë formë tjetër për të mbijetuar. Është e vetmja formë që kanë, është të mbrojnë pushtetin me çdo akt, me çdo formë, me çdo mënyrë. Ndonjëherë ju duhet që t'i japin këndet e lojërave për një ndërtim sepse do pastrojë paratë një kartel i cili i ka mbrojtur në zgjedhje, të cilit i ka dhënë vota.