Nga Spanja e bëjnë të sigurt, Interi dhe Barcelona drejt nisjes së negociatave për Bastonin

Sipas medieve spanjolle, pritet që shumë shpejt të nisë zyrtarisht tratativa mes Interit dhe Barcelonës për mbrojtësin italian, Alessandro Bastoni. Lajmi është raportuar nga e përditshmja katalanase ‘Sport’, e cila thekson se lojtari i zikaltërve mbetet objektivi kryesor i Barcelonës për merkaton e verës.

Sipas këtij burimi, klubi katalanas e konsideron Bastonin si përforcimin ideal për repartin e mbrojtjes, ndërsa alternativa e dytë mbetet Cristian Romero i Tottenham-it, vetëm në rast se negociatat me Interin nuk përfundojnë me sukses.

Megjithatë, në ambientin e Barcelonës raportohet edhe për njëfarë pakënaqësie ndaj vetë lojtarit dhe rrethit të tij. Sipas “Sport”, Bastoni ende nuk ka ushtruar presion ndaj klubit italian për të lehtësuar transferimin, një lëvizje që drejtuesit katalanas do ta shihnin si vendimtare për të ulur çmimin e kartonit.

Nga ana tjetër, drejtuesit e Interit nuk duken të gatshëm të bëjnë lëshime. Drejtori sportiv, Piero Ausilio, dhe presidenti, Giuseppe Marotta, e vlerësojnë mbrojtësin mbi 60 milionë euro dhe nuk kanë ndërmend të zbresin nga kjo shifër.

Vetë Marotta e ka pranuar interesimin e Barcelonës në deklaratat e fundit: “Ai është një kampion i madh dhe është normale që të tërheqë vëmendje. Nuk e fsheh interesin e Barcelonës, por aktualisht nuk ka asgjë konkrete. Një lojtar largohet vetëm nëse e shpreh vetë këtë dëshirë. Për momentin, ai është i lumtur tek ne dhe ne jemi të lumtur me të”.

Me merkaton verore që po afron, çështja Bastoni pritet të jetë një nga sagat më të nxehta, ndërsa mbetet për t’u parë nëse Barcelona do të arrijë ta bindë Interin dhe vetë lojtarin për një transferim të madh.