Kolegjet e Bashkuara rishkruajnë masat e sigurisë, avokati: Praktika e mëparshme ishte e gabuar
Kolegjet e Bashkuara të Gjykatës së Lartë kanë marrë një vendim unifikues që pritet të sjellë një ndryshim rrënjësor në praktikën e caktimit të masës së sigurisë “arrest me burg”. Kjo masë ekstreme nuk do të jetë më një zgjidhje automatike, por do të aplikohet vetëm si alternativa e fundit në procesin penal.
Në një prononcim, avokati Luan Hasneziri që inicioi ndryshimet shpjegoi se praktika e mëparshme ishte e gabuar. Sipas tij, “mjaftonte vetëm një vepër me rrezikshmëri të madhe dhe automatikisht caktohej masa e sigurimit të arrestit me burg”.
Kjo qasje e bënte masën e burgut thuajse të pashmangshme për një sërë veprash penale. Me vendimin e ri, praktika gjyqësore pritet të evoluojë drejt një mbrojtjeje më të fortë të të drejtave të të pandehurve.
I pyetur se kur do të hyjë në fuqi ky ndryshim i rëndësishëm, avokati sqaroi se vendimi bëhet i zbatueshëm pas publikimit në Fletoren Zyrtare.
“Vendimet njëësuese dhe unifikuese të Gjykatës së Lartë, botohen në Fletoren Zyrtare dhe aty e marrin vlerën e tyre konkrete,” theksoi ai.
Deklarata e plotë:
“Mjaftonte vetëm një vepër me rrezikshmëri të madhe dhe automatikisht caktohej masa e sigurimit të arrest me burg.
Si do të evoluojë, si do të ndryshojë praktika pas këtij vendimi njëësues ose unifikues që ka ndryshuar praktikën e njësuar, kjo do të mbetet për t'u parë në të ardhmen, sepse sentencat unifikuese për mua janë të qarta, pastaj besoj që praktika do të reagojë në mënyrë pozitive gjithmonë në drejtim të garancive të të pandehurit në procesin penal, duke u parë masa e sigurimit të arrest me burg vetëm si alternativë e fundit për ta.
Besoj që pas botimit në Fletoren Zyrtare nis edhe zbatimi, sepse vendimet njëësuese dhe unifikuese të Gjykatës së Lartë, veçanërisht ky që është i Kolegjeve të Bashkuara, botohen në Fletoren Zyrtare dhe aty e marrin vlerën e tyre konkrete.
Sa i përket çështjes konkrete, për të pandehurin, se është i pandehur tashmë Bektash Zeneli, u la në fuqi vendimi i Gjykatës së Apelit, që domethënë që u rrëzua rekursi i prokurorit dhe ky i pandehur vazhdon të gjykohet tashmë, sepse është seancë paraprake me masë sigurimit arrest në shtëpi. Faleminderit