Zyrtare/ Marcelino largohet nga Villarreali pas kualifikimit në Champions
Villarreali ka bërë zyrtare ndarjen me trajnerin Marcelino García Toral në fund të këtij sezoni. Lajmi, i cili prej javësh konsiderohej si i sigurt, u konfirmua këtë të hënë nga klubi spanjoll, vetëm dy ditë pasi skuadra siguroi për të dytin vit radhazi pjesëmarrjen në UEFA Champions League.
Në një mesazh të publikuar në rrjetet sociale, Villarreali falënderoi trajnerin për kontributin e tij: “Villareali dhe trajneri asturian do të ndajnë rrugët në fund të sezonit. Faleminderit nga zemra, Marce, për gjithçka që i ke dhënë këtij klubi dhe tifozëve. Të urojmë suksese në projektet e tua të ardhshme”.
Vendimi për largimin vjen pas dështimit për të arritur një marrëveshje rinovimi në muajt dhjetor dhe janar. Të dyja palët vendosën në atë moment të fokusoheshin te objektivat sportivë, duke lënë mënjanë çështjen e kontratës. Me objektivin e arritur, kualifikim në Champions, erdhi edhe konfirmimi i ndarjes.
Kjo është hera e dytë që Marcelino largohet nga stoli i Villarrealit. Ndryshe nga hera e parë, kur u shkarkua pak para nisjes së sezonit, këtë herë ndarja vjen në mënyrë të qetë dhe me respekt të ndërsjellë, duke vlerësuar punën dhe marrëdhënien e ndërtuar ndër vite.
Arsyeja kryesore e largimit lidhet me vizionin për të ardhmen. Trajneri kërkonte një kontratë afatgjatë, ndërsa klubi ishte i gatshëm t’i ofronte vetëm një zgjatje njëvjeçare, duke synuar një strategji më të kujdesshme financiare dhe fokus te zhvillimi i lojtarëve të rinj.
Kështu, rrugët e Marcelinos dhe Villarrealit ndahen sërish, këtë herë pas një periudhe të suksesshme që riktheu ekipin në elitën e futbollit europian.