‘Topi i turpit’/ Skandal me pagat e punëtorëve që prodhojnë topin zyrtar të Botërorit 2026

Një raport i fundit ka ndezur debat të fortë në botën e futbollit, duke vënë në pikëpyetje etikën pas organizimit të FIFA World Cup 2026. Ndërsa FIFA dhe gjiganti sportiv Adidas pritet të gjenerojnë miliona nga shitja e topave zyrtarë, realiteti në fabrikat e prodhimit është krejt ndryshe.

Topi zyrtar i turneut, i quajtur ‘Adidas Trionda’, shitet deri në 130 paundë në treg, duke u bërë një nga produktet më të shtrenjta të këtij lloji në histori. Megjithatë, sipas raportimeve, punëtorët që e prodhojnë atë në Pakistan paguhen me vetëm rreth 26 paundë në javë, një shumë që mezi mjafton për të mbajtur familjet e tyre.

Prodhimi kryhet nga Forward Group në qytetin Sialkot, një zonë e njohur globalisht për prodhimin e topave të futbollit, ku realizohet rreth 70% e prodhimit botëror. Edhe pse paga minimale mujore arrin rreth 106 paundë, shumë punëtorë pretendohet se fitojnë më pak, duke përballuar vështirësi serioze ekonomike, të përkeqësuara nga rritja e inflacionit dhe çmimeve të karburantit.

Organizatat për të drejtat e punëtorëve kanë reaguar ashpër. Aktivistja Anna Bryher theksoi se është e papranueshme që një produkt që shitet mbi 100 paundë të prodhohet nga njerëz që nuk mund ta përballojnë as vetë. Sipas saj, “fair play” humbet kuptimin kur simboli kryesor i lojës ndërtohet mbi shfrytëzim.

Nga ana tjetër, Adidas ka mohuar akuzat, duke deklaruar se produktet e saj prodhohen në kushte të sigurta dhe me paga të drejta, falë inspektimeve të rregullta. Edhe drejtuesit e Forward Group pretendojnë se shumica e punëtorëve paguhen mbi minimumin dhe punojnë në kushte të kontrolluara.

Megjithatë, sindikatat lokale dhe aktivistët theksojnë se problemet vazhdojnë, sidomos në zona të tjera ku prodhimi mund të zhvendoset për të ulur kostot. Historia e Sialkotit është shoqëruar prej vitesh me akuza për punë të rëndë dhe madje edhe për punë të fëmijëve, ndonëse situata pretendohet se është përmirësuar.

Ky skandal vjen në një moment kur futbolli global përgatitet për spektaklin më të madh në botë, me ‘yje’ si Harry Kane në qendër të vëmendjes. Por prapa skenës, debati mbi etikën dhe drejtësinë sociale rrezikon të errësojë imazhin e “lojës së bukur”.