Zyrtare/ Nevil Dede prezantohet tek Egnatia, nis një epokë e re te rrogozhinasit
Klubi i Egnatias ka bërë zyrtare emërimin e Nevil Dedes si trajnerin e ri të ekipit, duke hapur një kapitull të ri në pankinën e skuadrës rrogozhinase. Lajmi ishte paralajmëruar nga vetë tekniku një ditë më parë, ndërsa tashmë është konfirmuar edhe nga klubi përmes njoftimit zyrtar.
Dede vjen te Egnatia si pasardhës i Edlir Tetovës dhe pritet të marrë menjëherë drejtimin e skuadrës në një moment vendimtar të sezonit, ku objektivi kryesor mbetet lufta për titullin kampion në Superiore.
Trajneri shqiptar ka një eksperiencë të konsiderueshme në futbollin vendas, pasi më herët ka drejtuar ekipe si Tirana, Dinamo dhe Bylisi, si dhe Elbasanin në Kategorinë e Parë. Përvoja e tij nuk kufizohet vetëm në Shqipëri, pasi ka punuar edhe në Superligën e Kosovës, ku ka qenë në krye të Ferizajt.
Në njoftimin zyrtar, klubi i Egnatias e ka prezantuar këtë lëvizje si fillimin e një faze të re me ambicie të qarta sportive.
“Një kapitull i ri fillon sot. Me firmosjen e kontratës dhe prezantimin zyrtar të trajnerit të ri, Nevil Dede, ekipi ynë nis një rrugëtim të ri me ambicie, pasion dhe objektiva të qarta. Mirë se erdhe dhe suksese në këtë sfidë të re”, thuhet në reagimin e klubit.
Me këtë ndryshim në stol, Egnatia synon të forcojë garën për objektivat madhorë të sezonit dhe të mbetet një nga skuadrat pretendente në kampionatin shqiptar.