Hoti: Miloti i shkatërruar dhe i braktisur nga qeveria, duken vetëm për zgjedhje

Deputetja e PD-së, Elda Hoti ka denoncuar gjendjen e rëndë ku ndodhet qyteti i Milotit.

Përmes një reagimi në rrjetet sociale, Hoti shkruan se ndihet e keqardhur teksa shikon qytetin e saj të lindjes, të shkatërruar, të shpopulluar dhe të braktisur.

‘Bashkia e Kurbinit është uzurpuar nga arroganca dhe korrupsioni, duke i lënë qytetarët në mëshire të fatit, duke i lënë ata totalisht të braktisur dhe pa patur një derë ku të trokasin dhe të gjejnë zgjidhje’, thuhet në reagimin e deputetes së PD.

Reagimi i plotë:

Ndjej keqardhje ta shikoj qytetin tim të lindjes, Milotin, të shkatërruar, të shpopulluar dhe të braktisur.

Këtu banorët e Milotit kalojnë çdo ditë.

Këtu zhvillohet pazari i Milotit, një nga më të vjetrit në Shqipëri.

Dhe pikërisht këtu, ku duhet të kishte zhvillim dhe investim, ka vetëm harresë dhe braktisje.

Prej 15 vitesh, Bashkia e Kurbinit drejtohet nga partia socialiste.

Prej 15 vitesh vijnë me të njëjtat premtime për projekte të mëdha, për pazarin e Milotit, për ndryshime, për investime…

Por sapo mbarojnë zgjedhjet, mbaron edhe interesi për Milotin.

Dhe rezultati është ky që shohim sot zero investime, asnjë vizion, një qytet që po boshatiset çdo ditë

Bashkia e Kurbinit është uzurpuar nga arroganca dhe korrupsioni, duke i lënë qytetarët në mëshire të fatit, duke i lënë ata totalisht të braktisur dhe pa patur një derë ku të trokasin dhe të gjejnë zgjidhje.

Dhe vazhdojnë me propagandë, me takime të stisura që po refuzohen kudo.