Korçë/ Banorët në alarm nga rreziku i ri i daljes së lumit Lavdarit nga shtrati
Pasojat e përmbytjeve të shkaktuara nga reshjet e nëntorit dhe dhjetorit mbeten ende të dukshme në fshatin Voskop të Korçë. Pamja përgjatë shtratit të lumit Lavdar është e rënduar, struktura betoni të dëmtuara, gurë dhe inerte të shpërndara, si dhe erozion i theksuar i brigjeve, janë kthyer në një realitet të përditshëm për banorët.
Në shumë segmente, mbrojtjet anësore të lumit duken të shembura, ndërsa mbeturina dhe materiale të ndryshme janë grumbulluar në rrjedhën e ujit, duke rritur ndjeshëm rrezikun për bllokime dhe përmbytje të reja. Sipas banorëve, ndërhyrja e bashkisë ka qenë minimale dhe pastrimi i fundit i lumit është kryer në muajin nëntor.
Banorët theksojnë se lumi paraqet rrezik të lartë, veçanërisht për një lagje me rreth 40 banesa, ku të paktën 10 familje janë në rrezik të drejtpërdrejtë. Ata kujtojnë se situata të ngjashme janë përsëritur ndër vite, përfshirë përmbytjet e vitit 1991, kur uji depërtoi nëpër shtëpi dhe përmbyti të gjithë zonën.
Përveç kërcënimit ndaj jetës dhe banesave, në rrezik janë edhe tokat bujqësore, të cilat dëmtohen nga dalja e lumit nga shtrati. Banorët kërkojnë ndërhyrje urgjente nga autoritetet për stabilizimin e brigjeve, pastrimin e shtratit dhe ndërtimin e strukturave mbrojtëse më të qëndrueshme.
Sipas tyre, lumi i Lavdarit që kalon përmes fshatit dhe bashkohet me lumin e Gjonomadhit është burimi kryesor i rrezikut. Çdo reshje shiu rikthen frikën se lumi mund të dalë sërish nga shtrati dhe të përmbytë gjithçka përpara.