Vllaznia merr pozicionin e së ndershmes: Kampionati nuk është estradë, po dëmtohet futbolli dhe besimi i tifozëve

Në një moment delikat të sezonit në futbollin shqiptar, ku në media dhe rrjetet sociale kanë qarkulluar aludime për integritetin e ndeshjeve, sidomos ato të javës së 34-t të Superiores, Vllaznia ka dalë me një reagim të qartë dhe të prerë publik.

Përmes presidentit Alban Xhaferi, klubi shkodran ka mohuar kategorikisht çdo përfshirje në marrëveshje apo situata që cenojnë ndershmërinë e garës. “Vllaznia nuk ka qenë, nuk është dhe nuk do të jetë kurrë pjesë e asnjë marrëveshjeje që dëmton integritetin e kampionatit”, thuhet në deklaratë.

Klubi thekson se përfaqëson një histori të madhe sportive dhe një qytet me traditë, duke nënvizuar se çdo arritje ka ardhur dhe do të vijojë të vijë vetëm përmes punës, disiplinës dhe meritës në fushën e lojës.

Në reagim shprehet gjithashtu shqetësimi për përhapjen e dyshimeve pa prova konkrete, të cilat sipas Vllaznisë po dëmtojnë jo vetëm ekipet e përfshira në garë, por edhe vetë futbollin shqiptar dhe besimin e tifozëve.

Klubi i bën thirrje medieve, opinionit sportiv dhe institucioneve përkatëse që të tregojnë maturi dhe përgjegjësi në trajtimin e situatës, duke theksuar se çdo pretendim duhet të mbështetet vetëm në fakte dhe të ndiqet në rrugët zyrtare.

Në përfundim, Vllaznia garanton se do të vijojë të fokusohet vetëm te fusha e lojës, duke kërkuar që të flasë ekskluzivisht me rezultate dhe performancë sportive.