Tre shqiptarë në formacionin e javës në Superligën e Zvicrës
Faqja e njohur e statistikave “Sofascore” ka publikuar formacionin më të mirë të javës në Superligën e Zvicrës, ku këtë herë bien në sy edhe emrat e tre futbollistëve me origjinë shqiptare.
Në 11-shen ideale janë përfshirë Benjamin Kololli, Kreshnik Hajrizi dhe Ezgjan Alioski, të cilët kanë spikatur me paraqitjet e tyre në javën e fundit të kampionatit zviceran.
Benjamin Kololli ishte ndër më të dalluarit, pasi realizoi gol në ndeshjen e fundit me Sionin, duke marrë edhe vlerësimin më të lartë mes treshes shqiptare, me notën 8.3.
Ndërkohë, Kreshnik Hajrizi dhe Ezgjan Alioski u vlerësuan të dy me notën 7.9, falë paraqitjeve të qëndrueshme dhe kontributit të tyre në skuadrat respektive.
Përfshirja e tre futbollistëve shqiptarë në formacionin e javës është një tjetër dëshmi e pranisë së tyre gjithnjë e më të fortë në futbollin zviceran, ku vazhdojnë të lënë gjurmë me performancat e tyre.