Akanji bëhet përfundimisht i Interit deri në 2028: titulli aktivizon blerjen e detyrueshme
Mbrojtësi zviceran, Manuel Akanji, do të vazhdojë të jetë pjesë e Interit edhe për sezonet e ardhshme, pasi klubi zikaltër ka siguruar automatikisht blerjen e tij të detyrueshme pas fitimit të kampionatit.
Me arritjen matematikore të titullit kampion në Serie A, është aktivizuar klauzola e vendosur në marrëveshjen me Manchester City-n, e cila e shndërron huazimin e Akanji-t në transferim të përhershëm. Operacioni vlerësohet rreth 16 milionë euro në total.
Qendërmbrojtësi i lindur në vitin 1995 iu bashkua Interit verën e kaluar fillimisht në formë huazimi me të drejtë blerjeje, e cila bëhej e detyrueshme në rast të disa objektivave sportivë, ku titulli kampion ishte kushti kryesor. Me këtë sukses të arritur, marrëveshja tashmë konsiderohet e mbyllur dhe kontrata e firmosur nga lojtari deri në vitin 2028 hyn në fuqi plotësisht.
Pavarësisht se klauzola është thjesht një formalitet pas suksesit në kampionat, kontributi i Akanji-t ka qenë i rëndësishëm gjatë gjithë sezonit. Ai është aktivizuar thuajse gjithmonë si titullar që nga ndeshja e tij e parë.
Trajneri Cristian Chivu e ka konsideruar zviceranin një element kyç të repartit mbrojtës, falë përvojës, fleksibilitetit dhe cilësive të tij taktike, pasi mund të luajë edhe si mbrojtës i djathtë në një treshe mbrojtjeje.
Në fakt, drejtuesit e klubit kishin parashikuar prej kohësh se blerja e tij ishte vetëm çështje kohe, ndërsa titulli kampion thjesht e ka formalizuar përfundimisht qëndrimin e tij në Milano.