Ilir Meta kërkoi lirimin nga qelia kundrejt garancisë pasurore, Apeli i GJKKO nuk pranon ankimin

Ofroi garanci pasurore për të dalë nga burgu, Apeli i GJKKO rrëzon Ilir Metën, e lë në qeli.

Kreu i Partisë së Lirisë përmes avokatit Kujtim Cakrani ofroi dhe 50 mijë euro garanci për zbutjen e masës.

Ndërkohë Apeli i GJKKO pritet të shqyrtojë edhe dosjen që u kthye për rishqyrtim nga Gjykata e Lartë lidhur me rekursin për masën e sigurisë, ku rekursi i Metës u pranua dhe u kthye për rishqyrtim me një tjetër trupë

Vendimi:

Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, me trup gjykues monokratik të përbërë nga gjyqtare Saida Dollani, sot më datë 04.05.2026, shpalli vendimin mbi çështjen penale nr. 120 akti, datë 22.04.2026 regjistrimi, mbi ankimin e ankuesit I.M: “Ankim kundër vendimit nr. 242, datë 24.03.2026 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, me objekt: zëvendësimin e masës së sigurimit personal të arrestit në burg, në një masë tjetër: arrest në shtëpi, garanci pasurore, detyrimi për t’u paraqitur në policinë gjyqësore, ose ndalimi i daljes jashtë shtetit” dhe vendosi:

– Mospranimin e ankimit të paraqitur nga i pandehuri I.M., nëpërmjet mbrojtësit av. Kujtim Cakrani, ndaj disponimit nr. 242, datë 24.03.2026 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar.

– Ky vendim t’i njoftohet palëve.

– Ndaj këtij vendimi mund të bëhet rekurs në Gjykatën e Lartë.

Tiranë, më 04.05.2026.