E pazakontë! Modelja e platformave për të rritur ndërpret finalen e Snooker-it, zbulohet arsyeja

Finalja e Kampionatit Botëror të Snooker-it në “Crucible Theatre” u kthye për pak çaste në kaos, pasi një protestë e pazakontë ndërpreu përkohësisht ndeshjen mes Shaun Murphy dhe Wu Yize.

Ngjarja ndodhi gjatë ‘frame’-it të tretë, kur një grua nga publiku u ngrit papritur nga vendi i saj, kaloi barrierat mbrojtëse të arenës me 980 vende dhe u fut në zonën pranë tavolinës së lojës. Në atë moment, Wu Yize ishte në goditje dhe rezultati ishte 67-31 në favor të tij.

Sipas raportimeve, ajo nisi një protestë të çuditshme me mesazhe kundër pagesës së ‘TV licence’, duke bërtitur: “kush dreqin e paguan ‘TV licence’?” dhe “askush nuk e paguan”. Situata u bë menjëherë e tensionuar, duke detyruar ndërhyrjen e arbitrit Rob Spencer, ish-polic, i cili së bashku me sigurimin u hodhën për të ndaluar afrimin e saj drejt lojtarëve.

Brenda pak sekondash, tre punonjës sigurie ndërhynë dhe e nxorën jashtë arenës, ndërsa publiku reagoi me duartrokitje kur ajo u shoqërua jashtë sallës.

BBC vendosi të mos e transmetonte incidentin drejtpërdrejt, duke mbajtur kamerat të fokusuara vetëm në tavolinë. Ndërprerja zgjati pak dhe ndeshja vijoi normalisht.

Më vonë, gruaja u identifikua në rrjetet sociale si modelja e platformave për të rritur “Sasha Swan”, ku publikoi edhe një video me deklarata kundër BBC-së, duke përdorur gjuhë ofenduese.

Reagimet në arenë ishin të përziera, ndërsa ish-kampioni i botës, John Parrott, e minimizoi incidentin duke thënë se “ishte vetëm një shqetësim i vogël dhe gjithçka u zgjidh”.

Ngjarja kujtoi protesta të tjera të mëparshme në botën e snooker-it, përfshirë incidentet e “Just Stop Oil” në vitin 2023, duke treguar se edhe një sport i qetë si snooker nuk është i imunizuar nga episodet e papritura në tribunë.