VIDEO/ Kundërsulm spektakolar i Austin, Myrto Uzuni shënon golin e dytë radhazi në MLS

Sulmuesi i Kombëtares shqiptare, Myrto Uzuni, po kalon një formë mjaft të mirë në Major League Soccer, duke shënuar golin e tij të dytë radhazi në kampionat me fanellën e Austin FC.

Në sfidën ndaj St. Louis City, beratasi ishte protagonist në minutën e 81-të, kur vulosi fitoren për skuadrën e tij me një finalizim të saktë dhe të ftohtë. Goli erdhi pas një kundërsulmi të shpejtë dhe të organizuar në mënyrë perfekte, i cili nisi nga portieri i Austin dhe u zhvillua me ritëm të lartë deri në zonën kundërshtare.

Brenda zonës, Uzuni u pozicionua në mënyrë ideale dhe me një goditje të majtë mposhti portierin kundërshtar, duke i dhënë fund çdo shprese për St. Louis City.

Ky gol i rëndësishëm jo vetëm që siguroi tri pikë për Austin, por edhe konfirmoi momentin pozitiv të sulmuesit shqiptar në kampionat.

Falë kësaj fitoreje, Austin ngjitet në vendin e 11-të në renditje, duke grumbulluar 13 pikë pas 11 javësh të luajtura.

Për Myrto Uzunin, ky ishte goli i katërt në këtë sezon në MLS, ku ai ka kontribuar gjithashtu edhe me një asistim, duke u shndërruar në një nga lojtarët më vendimtarë të skuadrës së tij.