Mendy pëson sërish dëmtim, kriza fizike te Reali arrin shifra alarmante
Problemet me dëmtimet nuk kanë të ndalur te Real Madridi. Mbrojtësi francez, Ferland Mendy, është dëmtuar sërish, duke regjistruar kështu lëndimin e pestë gjatë këtij sezoni, në një situatë që po kthehet në një makth për klubin madrilen.
Dëmtimi i radhës erdhi që në minutat e para të ndeshjes ndaj Espanyol-it. Teksa vraponte për të mbrojtur një top drejt portës së tij, Mendy u ndal papritur, duke shfaqur menjëherë shenja dhimbjeje dhe zhgënjimi. Një skenë e përsëritur për lojtarin, i cili po kalon një periudhë shumë të vështirë për shkak të problemeve fizike të shpeshta.
Sezoni i tij ka qenë i kufizuar në maksimum, me vetëm nëntë ndeshje të luajtura dhe rreth 448 minuta në fushë. Pas një dëmtimi të rëndë sezonin e kaluar, ai u rikthye me vonesë dhe nuk ka arritur të gjejë vazhdimësi.
Megjithatë, rasti i Mendy-t nuk është i izoluar. Situata në skuadër është alarmante: deri tani, Reali ka regjistruar plot 57 dëmtime këtë sezon. Nëse i shtohen edhe 63 dëmtimet e sezonit të kaluar, numri total arrin në 120 në dy vitet e fundit.
Kjo valë e vazhdueshme problemesh fizike ka ndikuar ndjeshëm në performancën e ekipit dhe ka shkaktuar shqetësim të madh në drejtuesit e klubit. Në ambientet e Valdebebas-it, situata shihet me shumë pesimizëm, pasi drejtuesit e konsiderojnë këtë ritëm dëmtimesh të papranueshëm për një klub të këtij niveli.
Kriza fizike vazhdon të rëndojë mbi sezonin e Realit, duke e bërë edhe më të vështirë menaxhimin e objektivave në një moment vendimtar të kampionatit.