Përplasje në stërvitje te Santosi, Neymar godet me shuplakë djalin e Robinhos

Një incident i pazakontë ka ndodhur në stërvitjen e Santosit, ku protagonisti kryesor ishte Neymar. Sipas medieve braziliane, ‘ylli’ i skuadrës është përfshirë në një përplasje me Robinho Júnior, që është djali i ish-futbollistit të njohur Robinho.

Ngjarja ndodhi gjatë një seance stërvitore për lojtarët që nuk morën pjesë në ndeshjen ndaj Palmeiras-it. Sipas raportimeve, një driblim i talentit 18-vjeçar nuk i ka pëlqyer Neymar-it, i cili e ka interpretuar si mungesë respekti. Reagimi i tij ka qenë i ashpër, me një ndërhyrje të fortë që ka ndezur situatën në fushë.

Pas kësaj, tensioni u rrit dhe situata degradoi në shtyrje dhe përplasje fizike mes lojtarëve. Madje, burime të ndryshme pretendojnë se Neymar ka shkuar edhe më tej, duke goditur me shuplakë të riun gjatë konfliktit.

Atmosfera në qendrën stërvitore ‘Centro de Entrenamiento Rei Pelé’ u përshkrua si e tensionuar pas incidentit, ndërsa përfaqësuesit e Robinho Júnior kërkuan sqarime nga klubi për atë që ndodhi.

Megjithatë, situata duket se është qetësuar më pas. Sipas të njëjtave burime, Neymar ka folur me lojtarin e ri dhe i ka kërkuar falje për reagimin impulsiv. Marrëdhënia mes tyre konsiderohet shumë e afërt për shkak të lidhjes së ngushtë të Neymar-it me familjen e tij.

Pavarësisht episodit, trajneri Cuca ka konfirmuar se Neymar do të jetë i grumbulluar për ndeshjen e radhës ndaj Recoleta në Paraguai, në kuadër të Copa Sudamericana. Ky incident shton një tjetër kapitull në një sezon jo të lehtë për ‘yllin’ brazilian.