Reali fiton ndaj Espanyol-it, shkon me krenari në ‘El Clásico’ për t’i shtyrë festën Barcelonës

Real Madridi arriti një fitore të rëndësishme 0-2 në transfertë ndaj Espanyol-it, duke mbajtur gjallë shpresat për të shtyrë vendosjen e titullit në LaLiga. Protagonisti absolut i ndeshjes ishte Vinícius Júnior, i cili realizoi të dy golat dhe mori mbi vete peshën e skuadrës në mungesë të Kylian Mbappé-së.

Ndeshja në Cornellà kishte më shumë peshë për vendasit, që luftojnë për mbijetesë, por humbja i zhyt edhe më shumë në presion për javët e fundit. Nga ana tjetër, Reali kishte si objektiv kryesor të vononte festën e Barcelonë, e cila mbetet favorite për titullin falë qëndrueshmërisë gjatë sezonit.

Pa Mbappé, vëmendja ishte te Vinícius dhe Jude Bellingham, dy nga shtyllat e projektit të ardhshëm të klubit madrilen. Braziliani nuk zhgënjeu, duke udhëhequr skuadrën drejt një fitoreje që i jep kuptim objektivit të radhës: triumfi në “El Clásico”.

Tashmë, e gjithë vëmendja zhvendoset te përballja e 10 majit në ‘Camp Nou’, ku Barcelona, e drejtuar nga Hansi Flick, mund të shpallet kampione. Një fitore e Realit do të shtynte festën e katalanasve dhe do të rihapte, të paktën përkohësisht, garën për titull.

Në një sezon të vështirë për madrilenët, “El Clásico” shihet si një mundësi për të shpëtuar nderin dhe për t’u treguar tifozëve se diferenca me rivalin nuk është aq e madhe sa duket në renditje. Për këtë arsye, sfida e fundjavës së ardhshme pritet të ketë një peshë shumë më të madhe sesa thjesht tri pikët.