Arresti në burg, sot Gjykata e Lartë shprehet për njëhsimin e praktikës gjyqësore për aplikimin e paraburgimit

Gjykata e Lartë do të shprehet sot për njehsimin e praktikës gjyqësore sa i takon kushteve dhe kritereve për aplikimin e masës së sigurisë “arrest në burg”.

Këtë të hënë në mesditë Kolegjet do të shprehen mbi kërkesën e Prokurorisë së Apelit Tiranë për rastin e Bektesh Zenelit, që u bë shkak për mbledhjen e gjyqtarëve të Gjykatës së Lartë nëse do të ndryshojë ose jo vendimi njëhsues i vitit 2011, ku referohen aktualisht organet gjyqësore për caktimin e masës së arrestit.

Bashkë me vendimin pritet që në seancën publike të shpallet edhe vendimi mbi vendimmarrjen e Kolegjeve të Bashkuara, por nuk dihet si janë ndarë në vota 16 gjyqtarët pro dhe kundër. Që të miratohet ai vendim, duhet që shumica e gjyqtarëve të votojnë pro iniciativës së ndërmarrë nga kryetari i Gjykatës së Lartë, Sokol Sadushi.

Opozita ka ngritur shqetësimin se pas nismës për të zhbërë praktikën 15-vjeçare po përgatitet lirimi i kryebashkiakut të arrestuar të Tiranës, Erion Veliaj, mbi të cilin rëndojnë 13 akuza për 5 vepra të rënda penale.

Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, theksoi pak ditë më parë gjatë një deklarate, se pas tij fshihet qëllimi për të lehtësuar masën e paraburgimit për kreun e 5D Erion Veliajn dhe se nga ky vendim mund të përfitojnë edhe dhjetëra krerë të organizatave kriminale dhe bosë droge, një përpjekje për të krijuar “rrugën e paqes midis klaneve mafioze”.

Lexo edhe: Kolegjet e Bashkuara mblidhen për të riparë vendimin unifikues. A po përgatitet lirimi i Veliajt?