Marotta: Chivu do të qëndrojë gjatë tek Interi, do të ndërtojmë ekip me talentë dhe përvojë
Presidenti i Interit, Giuseppe Marotta, ka folur pas fitores ndaj Parmës, sukses që vulosi titullin e 21-të kampion për zikaltrit. Për drejtuesin italian, ky triumf mban firmën e trajnerit dhe të skuadrës, me besimin që projekti aktual do të zgjasë në kohë.
“Është titulli i Cristian Chivu dhe i skuadrës. E kemi zgjedhur me guxim, duke parë një CV si lojtar fitues dhe trajner i suksesshëm me të rinjtë. Këto cilësi na bindën dhe besoj se do të qëndrojë për shumë vite te Interi”, u shpreh Marotta.
Ai theksoi se ky sukses është një ëndërr e realizuar, duke falënderuar edhe drejtuesit e mëparshëm dhe tifozët për mbështetjen e vazhdueshme. Një rol të rëndësishëm, sipas tij, ka luajtur edhe qetësia që ka garantuar pronësia e klubit.
Sa i përket merkatos, presidenti zikaltër u tregua i qartë për strategjinë: Interi do të vazhdojë të mbështetet te një grup i konsoliduar, duke kërkuar një ekuilibër mes talentëve të rinj dhe lojtarëve me eksperiencë. “Kemi një bërthamë të fortë italiane dhe duhet ta ruajmë. Do të shohim talentet më të mira italiane, por edhe lojtarë të huaj me përvojë. Vetëm me të rinj nuk fitohet, duhet përzierja e duhur dhe mentalitet fitues”, theksoi ai.
Marotta ndaloi edhe te emra konkretë, duke vlerësuar Alessandro Bastonin si një siguri për të ardhmen e skuadrës, ndërsa la të kuptohet se klubi po ndjek me vëmendje edhe talentë të tjerë që mund t’i përshtaten stilit të lojës së Interit.