SYRI TV/ 45 mijë familje në pritje: Si u shndërrua Apeli në ‘varrezë’ të dosjeve gjyqësore
SYRI TV
Situata e stokut të dosjeve të Gjykatës së Apelit është kritike. KLGJ ka pranuar këtë fakt, teksa në Gjykatën e Apelit numërohen mbi 45 mijë dosje të pashqyrtuara, ku rreth 70 përqind e tyre janë çështje civile. Ndërkohë, një çështje penale shqyrtohet mesatarisht në Gjykatën e Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm për 920 ditë ose rreth 3 vjet.
Këshilli i Lartë Gjyqësor pranon se situata e stokut të dosjeve në Gjykatën e Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm është tejet kritike. Tre vjet më parë, KLGJ-ja dhe qeveria miratuan Hartën e Re Gjyqësore dhe premtuan evadimin e shpejtë të dosjeve gjyqësore të mbartura ndër vite, pavarësisht kundërshtive të forta të opozitës dhe ekspertëve të ligjit. Por, ky dokument, i cili parashikonte krijimin e vetëm një Gjykatë Apeli për të gjithë Shqipërinë, ka përkeqësuar ndjeshëm situatën, duke krijuar zvarritje ekstreme për qytetarët.
Në fund të vitit 2025, në Gjykatën e Apelit numërohen mbi 45 mijë dosje të pashqyrtuara, ku rreth 70 përqind e tyre janë çështje civile, e kryesisht pronash. Këshilli i Lartë Gjyqësor thotë në Raportin Vjetor për vitin 2025 se një çështje civile në Apel shqyrtohet mesatarisht për 2318 ditë ose mbi 6 vjet. Aktualisht, shkalla e dytë e gjyqësorit ka në dorë rreth 13 mijë çështje civile, të cilat presin për shqyrtim për më shumë se 5 vjet.
Ndërkohë, një çështje penale shqyrtohet mesatarisht në Gjykatën e Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm për 920 ditë ose rreth 3 vjet. Mbi 850 dosje të tilla kanë mbi 3 vjet që presin të dalin para gjykatës. Këshilli i Lartë Gjyqësor thotë se “Volumi prej 45,876 çështjesh përfaqëson nivelin më të lartë të backlog-ut të regjistruar në këtë gjykatë, duke reflektuar problematika të akumuluara ndër vite”.
Qeveria e gjyqësor përmend si shkaqe të krizës me dosjet disa elementë, si periudhat të gjata funksionimi me organikë të paplotësuar, rritje të vazhdueshme të çështjeve të reja. KLGJ citon shkarazi edhe presionin e shtuar mbi Gjykatën e Apelit pas përqendrimit të një strukture të vetme në nivel kombëtar.