Kreditë rëndojnë familjet, dobësohet aftësia paguese, rritet pesha e huave mbi buxhetet familjare
Rritja e lehtë e familjeve që marrin kredi nuk po shoqërohet me një përmirësim të gjendjes së tyre financiare.
Përkundrazi, të dhënat më të fundit tregojnë një situatë më të brishtë, qytetarët e kanë gjithnjë e më të vështirë të shlyejnë detyrimet mujore.
Sipas vrojtimit të Bankës së Shqipërisë të prezantuar në raportin e stabilitetit financiar, rreth 17% e familjeve kanë aktualisht një kredi për të paguar. Ndërsa kjo peshë është rritur lehtë, aftësia paguese ka pësuar dobësim.
Një sinjal i qartë presioni vjen nga fakti se gjithnjë e më shumë familje po kalojnë pragun kritik të shpenzimeve.
“Pesha e familjeve për të cilat pagesa e huasë tejkalon 30% të të ardhurave ka shënuar rritje dhe kjo ecuri sugjeron për një rritje të ngarkesës së huasë së familjeve gjatë periudhës”, deklaron Banka e Shqipërisë.
Edhe ata që më parë e përballonin lehtë kredinë, sot ndihen më të ekspozuar. Rreth 78% e familjeve deklarojnë se pagesa e huasë zë më pak se 30% të të ardhurave, por ky tregues është në rënie, çka tregon se buxhetet familjare po ngushtohen.
“Indekset e aftësisë paguese për gjashtëmujorin e kaluar dhe për gjashtë muajt e ardhshëm, të cilat agregojnë përgjigjet e familjeve që presin të kenë ndryshime në aftësinë e tyre paguese, tregojnë për përkeqësim të këtij treguesi në periudhën e vrojtuar, dhe pritje më pak optimiste për periudhën e ardhshme”, thotë Banka.
Në këtë klimë pasigurie, edhe kërkesa për kredi mbetet e zbehtë. Rreth 63% e familjeve nuk planifikojnë të marrin një hua të re në gjashtë muajt e ardhshëm.
Një sinjal i qartë se për shumë qytetarë, problemi nuk është më marrja e një kredie të re, por mbijetesa me atë që kanë tashmë.