'Spirale problematike'/ Analisti: Kosova në krizë politike dhe institucionale, rreziku i bllokimit të demokracisë

Në një lidhje Skype për emisionin e mesditës në Syri TV, gazetari dhe analisti Ben Andoni ka komentuar zhvillimet politike në Kosovë, duke analizuar sfidat që po përballet sistemi demokratik dhe funksionimi institucional i vendit.

Andoni u shpreh se Kosova ndodhet në një fazë të rëndësishme të konsolidimit të shtetit, ku proceset zgjedhore zhvillohen brenda standardeve demokratike, por sipas tij problemi kryesor shfaqet në fazën e funksionimit paszgjedhor të institucioneve.

Ai theksoi se vendi po përballet me një “spirale problematike me thelb demokratik”, duke përmendur distancimin e madh mes forcave politike dhe mungesën e kulturës së kompromisit institucional.

Sipas tij, një faktor shtesë i ngërçit politik lidhet edhe me dominimin e një force politike në Kuvend, si dhe me dobësitë e opozitës, të cilën e cilësoi të përçarë dhe pa një profil të qartë politik.

Andoni vuri në dukje gjithashtu zhvillimet brenda Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), duke theksuar se përçarjet e brendshme dhe rezultati i zgjedhjeve të fundit kanë ndikuar në dobësimin e saj politik.

Ai komentoi edhe diskutimet për afrime dhe riorganizime brenda opozitës kosovare, të cilat sipas tij lidhen me përpjekje për të rikthyer balancën politike në vend.

Deklarata e plotë:

"Kemi shumë të bëjmë me këtë dualitetin e nisur të shtetit të Kosovës, që do të thotë, për procedurën, janë të gjithë dakord që Kosova arrin brenda kanoneve demokratike të bëjë zgjedhje, të bëjë procese zgjedhore të mira.  Po a ja vlen ky proces i mirë për të shkuar pastaj në zgjidhje realisht demokratike që, që të funksionojë shteti i Kosovës.

Kam frikë se te kjo pjesa e dytë, tashmë Kosova çalon shumë.  Është futur në një spirale shumë problematike me thelb demokratik.

E para sepse palët janë të larguara jashtëzakonisht shumë nga njëra-tjetrës dhe parimi i tolerancës, sidomos për një shtet si Kosova që është në hapat e parë, ne e dimë, është një shtet pas çerek shekulli ekzistencë, i duhet që të ngjitet mbi kanone morale.

Por me kalimin e kohës, gjithmonë e më shumë, një forcë politike, siç është Vetëvendosje, e cila po merr më shumë se gjysmën e ulëseve në parlament, duket se ka krijuar ngërçe jo vetëm institucionale, por ngërçe përsa i përket demokracisë së vendit.

Dhe, përkundrejt asaj që flitet, një masë e madhe faji, në mendimin tim tashmë, rrjedh edhe nga veprimet që po bën opozita e vendit. Një opozitë jashtëzakonisht e përçarë, një opozitë pa fizionomi dhe barra më e madhe e përgjegjësisë po bie mbi përçarjet e brendshme të LDK-së.

Ju e dini që LDK-ja në zgjedhjet e fundit mori një rezultat jashtëzakonisht dënjues. Por në kohët e fundit, gjithmonë e më shumë po flitet për një afrim të zonjës Osmani.

 Dhe me besimin e madh të paktën grupit të zotit Abdixhiku që ky bashkim, në mendimin tim tani bashkimi më tani, do t'i risillte atë forcën e dikurshme të LDK-së. LDK-ja nuk ka qenë shumë e predispozuar që t'i krijonte mundësinë Vetëvendosjes me 62 votat e saj, me votat pastaj të, 10 votat e pakicës, jo votat e, e, po themi minoritetit serb, dhe ndoshta me ndonjë korrigjim të arrihesh në zgjedhjen e presidentit.

Besoj që ngërçi do të vazhdojë në Kosovë, sepse Kosova tashmë po kthehet në normalitet të anormalitetit. Ky është problemi më i madh".