Këshilli i Sigurisë në OKB paralajmëron për përshkallëzim të programit bërthamor të Koresë së Veriut

Këshilli i Sigurisë në OKB ka paralajmëruar për përshkallëzim të programit bërthamor dhe raketor të Koresë së Veriut, duke theksuar gjithashtu shkelje të vazhdueshme të sanksioneve ndërkombëtare.

Zëvendëssekretarja e Përgjithshme për Çështjet Politike, Rosemary DiCarlo, deklaroi se Pheniani po përshpejton zhvillimin e kapaciteteve bërthamore, përfshirë testime të reja dhe rritje të prodhimit të materialeve të ndjeshme në kompleksin e Yongbyon.

Sipas të dhënave të paraqitura në Këshillin e Sigurimit, ekzistojnë prova për shkelje të vazhdueshme të sanksioneve, përfshirë ngarkimin e mallrave të ndaluara nga anije që operojnë drejt Koresë së Veriut.

Zyrtarët e OKB-së theksuan nevojën urgjente për uljen e rrezikut bërthamor dhe shmangien e çdo përdorimi të armëve bërthamore.

Gjatë diskutimeve, shumica e vendeve anëtare vlerësuan se veprimet e Koresë së Veriut dëmtojnë përpjekjet globale për mosshpërndarjen e armëve bërthamore dhe rrisin tensionet në Gadishullin Korean.

SHBA kërkoi forcimin e zbatimit të sanksioneve, ndërsa Kina dhe Rusia u shprehën në favor të lehtësimit të tyre dhe rritjes së dialogut.

Nga ana e saj, Greqia shprehu shqetësim të thellë për zhvillimet. Përfaqësuesi i saj, Ioannis Stamatikos, theksoi rëndësinë e zbatimit të plotë të rezolutave të OKB-së dhe bëri thirrje për dialog me synim çarmatimin bërthamor të plotë.