Mirlind Daku dhe Nazmi Gripshi i japin fitoren Rubin Kazanit

Rubin Kazan ka marrë një fitore të rëndësishme 1-0 në transfertë ndaj Baltika Kaliningrad në javën e 28-të të kampionatit rus, falë kontributit vendimtar të dy lojtarëve shqiptarë.

Mirlind Daku ka gjetur rrugën e rrjetës pas një kohe të gjatë pa shënuar në elitën e futbollit rus, duke sigluar golin e vetëm të ndeshjes. Ai u asistua nga bashkëkombësi i tij, Nazmi Gripshi, i cili regjistroi kështu asistin e tretë në kampionat.

Ky ishte goli i dhjetë sezonal për Dakun, i cili nuk kishte shënuar që prej nëntorit të vitit të kaluar, ndërsa më pas kishte munguar për një periudhë të gjatë për shkak dëmtimi. Ai u rikthye në fushë në fillim të prillit dhe tashmë po rikthen formën e tij.

Daku u aktivizua deri në minutën e 79-të, ndërsa Gripshi u zëvendësua në minutën e 63-të. Në fund të ndeshjes u aktivizua edhe Veldin Hoxha, i cili u largua pak para përfundimit të takimit.

Me këtë fitore, Rubin Kazan ngjitet në kuotën e 42 pikëve dhe mban vendin e shtatë në renditje, duke vazhduar garën për një pozicion më të mirë në kampionat.