Carvajal i jep lamtumirën gjithçkaje, fund i dhimbshëm për një legjendë të Real Madridit
Mbrojtësi spanjoll, Dani Carvajal, po përjeton momentin më të vështirë të karrierës së tij. Në moshën 34-vjeçare, lojtari i Real Madrid është shumë pranë lamtumirës me klubin, ndërsa një dëmtim i fundit dhe vendimi i drejtuesve e kanë çuar drejt një fundi të hidhur.
Carvajal ka pësuar një dëmtim në gishtin e këmbës së djathtë, që praktikisht e përjashton nga pjesa e mbetur e sezonit në La Liga dhe e bën pothuajse të pamundur rikthimin në formë. Sipas raportimeve, ai mund të mungojë për disa javë dhe shpresa e vetme mbetet një paraqitje simbolike në ndeshjen e fundit në “Santiago Bernabéu”.
Situata e tij është komplikuar edhe nga vendimi i Real Madridit për të mos i ofruar rinovim kontrate, e cila skadon më 30 qershor 2026. Klubi ka zgjedhur të mbyllë bashkëpunimin me një nga lojtarët më të rëndësishëm të dekadës së fundit, kryesisht për shkak të mungesës së vazhdimësisë dhe problemeve fizike.
Sezoni i fundit ka qenë i mbushur me vështirësi për Carvajal. Pas një dëmtimi të rëndë që e la jashtë fushave për gati një vit, ai u rikthye gradualisht, por nuk arriti kurrë të gjente vazhdimësi. Ka regjistruar vetëm disa paraqitje si titullar dhe shumë ndeshje pa minuta, duke reflektuar një rol gjithnjë e më të vogël në skuadër.
Në planin ndërkombëtar, situata e tij është po aq e vështirë, pasi shanset për të qenë pjesë e Kupës së Botës janë pothuajse të humbura.
Nga një lider i padiskutueshëm në krahun e djathtë të Real Madridit, Carvajal po i afrohet një fundi të papritur dhe të dhimbshëm, duke mbyllur një kapitull të artë me klubin madrilen dhe me futbollin elitar spanjoll.