Inicionet rindërtimi i xhamisë tek ura e Ibrit, u ndërtua në 1777 u dogj nga serbët në 1999
Kryeministri Albin Kurti bashkë me myftiun Naim Tërnava, kryeimamin Vedat Sahiti dhe ministren Saranda Bogujevci, kanë nënshkruar marrëveshjen e bashkëpunimit për hartimin dhe zbatimin e projektit të rekonstruktimit të Xhamisë së Ibrit, e ngritur në vitin 1777 dhe e djegur nga forcat serbe më 1999. Ata kanë nënshkruar edhe një memorandum tjetër bashkëpunimi, i cili synon forcimin e ruajtjes dhe promovimit të trashëgimisë kulturore islame
Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka bërë të ditur nisjen e procedurave për rindërtimin e xhamisë në anën veriore tek ura qendrore e Ibrit në Mitrovicës, e cila është djegur më 2 maj 1999 nga forcat serbe.
“Me këtë memorandum, Qeveria e Republikës së Kosovës mbështet ringritjen e këtij monumenti me rëndësi historike dhe kulturore”, ka bërë të ditur kryeministri në detyrë. “Në vazhdim, nënshkruam edhe një memorandum tjetër bashkëpunimi me Bashkësinë Islame të Kosovës, i cili synon forcimin e ruajtjes dhe promovimit të trashëgimisë kulturore islame”.
Në fushatën për zgjedhjet e 28 dhjetorit, Kurti e premtoi në Mitrovicë ringritjen e xhamisë që ndodhej me ta kaluar urën mbi Ibrin që ndan qytetin etnikisht. Meqë hapësira ku ajo ka qenë bie në territorin e administruar nga Komuna e Mitrovicës Veriore, e udhëhequr nga serbët, ringritja nuk është lejuar deri tani.