Sulmuesi i Kombëtares Shqiptare ngjitet në Premier League me Ipswich Town
Emocione të forta në javën e fundit të Championship, ku Ipswich Town siguroi rikthimin në Premier League vetëm një sezon pas rënies. Ipswich triumfoi 3-0 në shtëpi ndaj Queens Park Rangers, duke ruajtur vendin e dytë dhe duke siguruar ngjitjen direkte së bashku me Coventry City.
Golat e Hirst, Philogene-Bidace dhe McAteer vulosën një sukses të rëndësishëm për Ipswich, që mbylli sezonin me një pikë më shumë se Millwall, skuadër që fitoi 2-0 ndaj Oxford, por nuk arriti të shmangë “play-off”-in.
Në këtë ndeshje, lojtari i Kombëtares së Shqipërisë, Anis Mehmeti, u aktivizua në minutën e 74-t, kur rezultati ishte 2-0.
Në garën për vendin e fundit që çon në “play-off”, drama ishte maksimale. Hull City siguroi vendin e gjashtë pas fitores 2-1 ndaj Norwich City-t, falë dy golave të McBurnie. Kjo fitore la jashtë në mënyrë dramatike Wrexham, që nuk shkoi më shumë se një barazim 2-2 ndaj Middlesbrough.
Skuadra e famshme në pronësi të aktorëve Ryan Reynolds dhe Rob McElhenney ishte shumë pranë kualifikimit, por humbi avantazhin gjatë ndeshjes dhe pa Hull-in ta parakalonte në momentet vendimtare.
Në “play-off” për biletën e fundit drejt Premier League do të garojnë Millwall, Southampton, Middlesbrough dhe Hull City.
Ndërkohë, Swansea City e mbylli sezonin në vendin e 11-të pas fitores 3-1 ndaj Charlton. Nga ana tjetër, Leicester City, Oxford dhe Sheffield Wednesday bien në League One, duke mbyllur një sezon zhgënjyes.