Villarreali fiton me goleadë ndaj Levantes dhe siguron pjesëmarrjen në Champions
Villarreal siguroi një vend në UEFA Champions League për sezonin e ardhshëm pas një fitoreje bindëse 5-1 ndaj Levantes, duke regjistruar fitoren e gjashtë radhazi në shtëpi në LaLiga.
Ndeshja nisi me dominimin e Villarrealit, që krijoi raste të shumta që në fillim. Pas disa tentativave të rrezikshme, ishte Georges Mikautadze ai që zhbllokoi rezultatin, duke përfituar nga një gabim në mbrojtjen kundërshtare.
Në pjesën e dytë, Levante reagoi dhe barazoi shpejt me golin e Carlos Espí, por festa e tyre zgjati pak. Villarreal riktheu menjëherë avantazhin falë një supergoli të Alberto Moleiro-s.
Pas këtij momenti, vendasit dominuan plotësisht. Mikautadze realizoi golin e dytë personal pas asistit të Nicolas Pépé, ndërsa ky i fundit shkëlqeu edhe me një tjetër asist për Tajon Buchanan, i cili shënoi një gol spektakolar nga distanca. Në fund, Pépé vulosi rezultatin 5-1 me një gol të merituar.
Kjo fitore i garanton Villarrealit një vend në katërshen e parë dhe mundësinë për të synuar edhe vendin e tretë, arritje që nuk e ka realizuar prej sezonit 2007/08. Në anën tjetër, situata e Levantes mbetet kritike, pasi skuadra ndodhet në zonën e rënies nga kategoria dhe rrezikon seriozisht mbijetesën.