SHBA kërcënon kompanitë detare me sanksione nëse i paguajnë tarifa Iranit

SHBA paralajmëroi kompanitë e transportit detar se mund të përballen me sanksione nëse paguajnë Iranin për kalim të sigurt përmes Ngushticës së Hormuzit.

Në një njoftim të publikuar të premten, Zyra Amerikane për Kontrollin e Pasurive të Huaja (OFAC) theksoi se personat dhe kompanitë amerikane, në përgjithësi, e kanë të ndaluar të bëjnë pagesa ndaj enteve qeveritare iraniane, ndërsa edhe subjektet jo-amerikane mund të rrezikojnë të përballen me sanksione nëse paguajnë.

Pjesëmarrësit e industrisë detare që operojnë me anije që ndalojnë në portet iraniane përballen me rrezik të konsiderueshëm sanksionesh sipas disa autoriteteve që synojnë sektorin e transportit dhe portet e Iranit”, thuhet në deklaratën e OFAC.

Irani ka kufizuar ndjeshëm trafikun nëpër ngushticë që nga nisja e luftës në shkurt. Nga ana tjetër, SHBA ka vendosur gjithashtu një bllokadë detare ndaj porteve iraniane.

Irani e ka cilësuar si “pirateri” ndërhyrjen e SHBA ndaj anijeve që hyjnë dhe dalin nga portet iraniane në kuadër të kësaj bllokade.

Teherani thotë se ka mbledhur tarifa nga anijet për t’u lejuar kalimin e lirë nëpër ngushticë. Zëvendëskryetari i Parlamentit iranian, Hamidreza Haji Bababei, deklaroi javën e kaluar se të ardhurat e para nga këto tarifa janë depozituar në Bankën Qendrore të vendit.

Nuk janë dhënë detaje të mëtejshme për shumën e tarifave, mënyrën e mbledhjes apo se kush i ka paguar ato dhe BBC nuk ka mundur ta verifikojë në mënyrë të pavarur këtë pretendim.

Sipas OFAC, pagesat mund të përfshijnë jo vetëm para në dorë, por edhe “asete digjitale, kompensime, shkëmbime informale apo forma të tjera pagesash në natyrë”, përfshirë donacione bamirësie apo pagesa në ambasadat iraniane.

Agjencia paralajmëroi se edhe personat jo-amerikanë që kryejnë pagesa mund të përballen me përgjegjësi civile dhe penale, nëse këto pagesa bëjnë që subjekte amerikane – si kompani sigurimesh apo institucione financiare – të shkelin sanksionet.

OFAC theksoi se “do të vazhdojë të godasë në mënyrë agresive sektorët kryesorë që gjenerojnë të ardhura për Iranin, në veçanti sektorin e naftës dhe atë petrokimik”.

Departamenti Amerikan i Thesarit njoftoi gjithashtu të premten vendosjen e sanksioneve ndaj tre zyrave iraniane të këmbimit valutor, duke i akuzuar se kanë konvertuar të ardhurat nga nafta në valuta më të përdorshme.

Sekretari i Thesarit, Scott Bessent, deklaroi se agjencia e tij do të “synojë pa pushim aftësinë e regjimit për të gjeneruar, lëvizur dhe riatdhesuar fonde, si dhe do të ndjekë këdo që ndihmon përpjekjet e Teheranit për të shmangur sanksionet”.

Pas sulmeve të SHBA-së dhe Izraelit ndaj Iranit më 28 shkurt, Irani ka nisur të godasë dhe të sulmojë anijet që kalojnë nëpër Ngushticën e Hormuzit, duke sekuestruar edhe dy prej tyre.

Nga ana tjetër, SHBA ka vendosur një bllokadë detare që prej 13 prillit, duke ndaluar të gjitha anijet që të udhëtojnë drejt ose nga portet iraniane. Presidenti Donald Trump kishte shpresuar se kjo bllokadë do të ushtronte presion ndaj Iranit duke goditur të ardhurat nga tarifat dhe shitjet e naftës.

Komanda Qendrore e SHBA-së (Centcom) njoftoi të premten se 45 anije tregtare janë detyruar të kthehen mbrapsht që nga fillimi i bllokadës.

Rreth 3,000 anije kalojnë zakonisht çdo muaj nëpër këtë ngushticë, por ky numër ka rënë ndjeshëm, duke u reduktuar në vetëm disa anije në ditë.

Ngushtica është një rrugë detare jetike për transportin e naftës dhe mallrave të tjera, përfshirë ushqimet, ilaçet dhe furnizimet teknologjike.

Agjencia e OKB-së për refugjatët (UNHCR) tha të premten se mbyllja e rrugëve kryesore detare ka detyruar përdorimin e alternativave më të gjata dhe më të kushtueshme për transportin e ndihmave.

Rritja e kostove të transportit dhe karburantit “prek në mënyrë disproporcionale njerëzit në situata emergjente”, përfshirë refugjatët dhe personat e zhvendosur, theksoi agjencia.

Kostoja e dërgimit të ndihmave në Sudan, i cili po hyn në vitin e katërt të luftës, është dyfishuar në muajt e fundit, pasi devijimi i dërgesave përreth Kepit të Shpresës së Mirë në Afrikën e Jugut shton deri në 25 ditë në kohën e dorëzimit.

Agjencia e OKB-së bëri të ditur se është përshtatur shpejt duke ridrejtuar ngarkesat detare dhe duke u mbështetur më shumë në korridoret tokësore. Megjithatë, ajo paralajmëroi se “nëse paqëndrueshmëria në Lindjen e Mesme vazhdon, rritja e kostove, vonesat dhe kapaciteti i kufizuar i transportit ka të ngjarë të kufizojnë edhe më tej operacionet humanitare.”

SHBA dhe Irani nisën një armëpushim të brishtë më 8 prill. Që atëherë, dy vendet kanë zhvilluar bisedime, por ende nuk është arritur një marrëveshje afatgjatë.

Sipas agjencisë shtetërore iraniane të lajmeve IRNA, Irani u ka paraqitur ndërmjetësve në Pakistan një propozim për t’i dhënë fund luftës të enjten në mbrëmje. Megjithatë, presidenti amerikan Donald Trump ka reaguar negativisht ndaj këtij propozimi.

“Ata duan të bëjnë një marrëveshje, unë nuk jam i entuziazmuar, kështu që do të shohim çfarë ndodh”, tha Trump të premten.

Ai shtoi: “Sepse në thelb nuk u ka mbetur ushtri. Nuk jam i sigurt nëse do t’ia dalin ndonjëherë.”

Presidenti nuk dha detaje mbi propozimin dhe nuk shpjegoi pse nuk ishte i kënaqur, por u shpreh: “Po kërkojnë gjëra me të cilat nuk mund të pajtohem.”

Ai gjithashtu shprehu zhgënjim me udhëheqjen iraniane, duke thënë: “Është një udhëheqje shumë e përçarë. Të gjithë duan të bëjnë marrëveshje, por janë të çorganizuar.”

Pasi Udhëheqësi Suprem i Iranit, Ali Khamenei, u vra në sulmet e SHBA-së dhe Izraelit në ditën e parë të luftës, ai u pasua nga djali i tij, Mojtaba Khamenei. Megjithatë, vendimmarrja duket më pak e centralizuar se më parë.

Të enjten, Trump tha se ishte informuar për opsionet ndaj Iranit, që varionin nga “t’i godasim fort dhe t’i shkatërrojmë përfundimisht” deri te “të arrijmë një marrëveshje”.

Konflikti nisi pasi SHBA dhe Izraeli kryen sulme të gjera ndaj Iranit në shkurt. Irani u kundërpërgjigj duke ndërmarrë sulme ndaj Izraelit dhe shteteve aleate të SHBA-së në Gjirin Persik.

SHBA dhe Izraeli kanë deklaruar se Irani po përpiqej të zhvillonte një armë bërthamore, gjë që Teherani e ka mohuar me forcë. /BBC/