Ndahet nga jeta Alex Zanardi, gjiganti që sfidoi fatin dhe frymëzoi botën

Bota e sportit është në zi pas ndarjes nga jeta të Alex Zanardi-t, një prej figurave më frymëzuese të dekadave të fundit. Lajmi u konfirmua nga familja e tij, duke bërë të ditur se ish-piloti i Formulës 1 dhe kampioni i madh paralimpik u shua në moshën 59-vjeçare.

I lindur në Bologna, Zanardi ishte një simbol i forcës dhe vullnetit të jashtëzakonshëm. Pas aksidentit tragjik të vitit 2001, ku humbi të dyja këmbët, ai nuk u dorëzua, por e rindërtoi jetën e tij duke u kthyer në një kampion të paraçiklizmit. Në Lojërat Paralimpike Londër 2012 dhe Lojërat Paralimpike Rio 2016, ai fitoi katër medalje ari dhe dy argjendi, duke u kthyer në një ikonë të sportit botëror.

Në vitin 2020, një tjetër aksident i rëndë, këtë herë gjatë një gare bamirësie me handbike,  e vendosi sërish përballë një beteje të vështirë për jetën. Megjithatë, ai vazhdoi të mbetej një figurë pozitive dhe frymëzuese për miliona njerëz.

Në deklaratën e familjes thuhet se Zanardi “u nda nga jeta në mënyrë të qetë, i rrethuar nga dashuria e të afërmve”, ndërsa kërkohet respekt për privatësinë në këtë moment të dhimbshëm. Ceremonia mortore do të bëhet e ditur në vijim.

Përtej sukseseve sportive, Zanardi do të mbahet mend si një njeri me shpirt të madh, gjithmonë i gatshëm të ndihmonte të tjerët dhe të përhapte optimizëm. Me humorin dhe forcën e tij, ai frymëzoi një brez të tërë, duke treguar se kufijtë ekzistojnë vetëm për t’u sfiduar.

Ai lë pas bashkëshorten Daniela dhe djalin Niccolò, ndërsa kujtimi i tij do të mbetet i përjetshëm në historinë e sportit dhe në zemrat e atyre që e njohën.