Kalvari i Lamela-s, fundi i karrierës dhe operacioni në ijë: Shpresoj për një jetë pa dhimbje
Ish-futbollisti argjentinas Erik Lamela i dha fund karrierës së tij një vit më parë, në moshën 33-vjeçare, për shkak të një problemi të rëndë në ijë që i kishte vështirësuar jo vetëm futbollin, por edhe jetën e përditshme. Gjendja fizike ishte përkeqësuar ndjeshëm, duke e bërë të pamundur stërvitjen dhe duke e detyruar të largohej nga sporti më herët nga sa kishte planifikuar.
Vendimi i tij erdhi si pasojë e konsumimit të kërcit dhe artrozës së avancuar, një gjendje që e kishte shoqëruar për vite me radhë. Vetë Lamela kishte pranuar më herët se për pesë vite kishte përdorur medikamente para çdo ndeshjeje, vetëm për të qenë në gjendje të zbriste në fushë dhe të jepte maksimumin.
Së fundmi, ish-lojtari i Roma ka ndërmarrë një hap të rëndësishëm për të përmirësuar cilësinë e jetës së tij. Ai i është nënshtruar një operacioni në ijë, ku i është vendosur një protezë metalike. Në rrjetet sociale, Lamela ndau foto nga spitali, përfshirë edhe radiografinë pas ndërhyrjes, duke treguar realitetin e vështirë që ka kaluar.
“Shpresoj që ky të jetë fillimi i një jete pa dhimbje”, – është shprehur ai, duke reflektuar optimizëm për të ardhmen. Pas një ndërhyrjeje të suksesshme, Lamela synon të rikthehet në një jetë normale, larg dhimbjeve kronike që ndikuan ndjeshëm në fundin e karrierës së tij sportive.