'Uji i pijshëm, është i papijshëm', miliona të investuara s'zgjidhin hallin e banorëve të Balldrenit

Pas një investimi prej 13.25 milionë eurosh përmes Bankës Gjermane për Zhvillim (KfW), që synonte përmirësimin e furnizimit me ujë në Lezhë, banorët e fshatit Balldren përballen me një realitet shqetësues.

Megjithëse ujësjellësi është ndërtuar gjatë viteve të fundit, shumë banorë shprehen se uji që furnizohet në çezmat e tyre është i ndotur dhe i papërdorshëm për konsumim. Sipas tyre, uji ka ndryshime në ngjyrë dhe shije, duke i detyruar ata të mos e përdorin.

Problematika, sipas banorëve, vijon prej kohësh dhe deri më tani nuk ka marrë një zgjidhje konkrete. Situata bëhet edhe më e vështirë për disa familje, të cilat shprehen se nuk kanë mundësi ekonomike për të blerë filtra pastrimi, ndërsa të tjerë detyrohen të blejnë ujë të blerë shpesh për të përmbushur nevojat bazë.